Lajme

Ky është skenari që detyroi kryeministrin t’i falë 58 milionë euro

Autori: Gazeta inFokus 13:16 | 12 October 2017

Falja e 58 milionë eurove për ambalazhuesit e ujit nuk po del të ketë qenë e rastësishme. Një grup i mirë organizuar brenda Ministrisë së Mjedisit dhe bizneseve të ujit kishin përgatitur ndër vite skenarin që po e zbaton kryeministri Haradinaj.

Në një përgjigje nga zyra e të parit të ekzekutivit për Gazetën Fjala thonë se kërkesa erdhi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Besim Dobruna, ish zyrtar i lartë në departamentin e ujërave në MMPH rrëfen për Gazetën Fjala se deri në këtë pikë ka ardhur pas një plani të përgatitur mirë.

-Advertisement-

Pjesë e tij dyshohet të jenë edhe ish ministri Dardan Gashi tani zëvendës kryeministër dhe ministër i Diasporës në qeverinë Haradinaj, ish ministrat Ferid Agani e Ferat Shala të cilët nuk kanë ndërmarrë asgjë për të inkasuar borxhet milionëshe.

Ndërkaq,  sekretari i ministrisë së Mjedisit, Arben Çitaku bashkë me ish-drejtorin e departamentit e ujërave në MMPH, Naser Bajraktarin dyshohen të jetë lidhja kryesore me biznesmenët e ujërave lidhur me milionat që u janë falur këtyre të fundit.

Si të përfshirë në këtë rast Dobruna ka përmendur edhe emrin e Bedri Halimit, Drejtor i Inspektoratit në MMPH.

Ndaj gjithë këtyre është ushtruar kallëzim penal para dy vitesh nga Dobruna.

Dobruna: Si u përgatit skenari

Me Ligjin për Ujërat e Kosovës, MMPH obligohet që të lëshojë vendime financiare për të gjitha kompanitë e ujërave që janë të pajisura me licencë. Vendimi financiar lëshohet me qëllimin që ministria ta mat sasinë e ujit që shfrytëzohet dhe në bazë të kësaj ti përcaktoj pastaj borxhet.

Por, siç rrëfen Dobruna, asnjë vendim financiar nuk iu ishte lëshuar kompanive nga kjo ministri ani pse për këtë punë ka pasur rregullativ ligjore që nga viti 2006.

“Ministria sipas Ligjit të ujërave është dashur me iu dërgu operatorëve vendimet financiare”, tregon Dobruna, i cili thotë të jetë i vendosur që këtë skenar ta dokumentojë edhe në gjykatë.

Në bazë të këtyre vendimeve financiare operatorët obligohen që çdo muaj të raportojnë në ministri.

Në vitin 2013, derisa Dobruna ishte pjesë ministrisë, ai thotë se i kishte përgatitur këto vendime për të gjithë operatorët, por dikush aty brenda e ndaloi.

“Naser Bajraktari, aso kohe drejtor i imi, më ndaloi që ti përcjellë këto vendime tek operatorët”.

Sipas Dobrunës, fajin kryesor deri tek ky vendim i kryeministrit e bart Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila qëllimshëm nuk i kishte lëshuar vendimet financiare për operatorët, gjithë këto vite.

Ndërkohë sa i përket vendimit të kryeministrit me të cilin u falen 58 milionë euro, Dobruna thotë se kryeministri me ketë vendim ka shkelur së paku katër ligje.

“Ligjin e Ujërave, Ligjin për miniera, Ligjin e Mjedisit dhe atë për Shoqëri tregtare”, thotë Dobruna.

Dobruna këmbëngul se është i vendosur që kësaj pune ti shkojë deri në fund. Thotë se i ka të gjitha dëshmitë e nevojshme për ta zbuluar sesi ka ardhur deri në këtë pikë.

22472662_1614602241929621_408820984_n

(Besim Dobruna, ish-zyrtar në MMPH)

Devollët e Kelmendët i kërkuan Haradinajt faljen e borxheve

Në një përgjigje për Gazetën Fjala, nga zyra e kryeministrit thonë se krahas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kryeministrit Haradinaj i kishte kërkuar ti fal borxhet edhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

“Ky propozim për rend dite  ka ardhur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me datë 02.10.2017. Ndërmarrja e këtyre hapave ka qenë kërkesë edhe e  “Klubit të Prodhuesve të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e kryeministrisë.

Pjesë e këtij Klubi, i krijuar para dy vitesh, është edhe kompania Devolli Group dhe “Ujë Rugove” me pronar Visar Klemendin. Të dy këto kompani vlerësohen nder borxhlinjtë më të mëdhenj për shfrytëzim të ujërave.

Gazeta Fjala posedon dokumentacion të MMPH ku “Birra Peje” që është pronë e Devollëve dhe “Ujë Rugove” madje edhe janë dënuar për moskthim të borxhit.

Ndërkaq, në bazë të dokumenteve borxhliu më i madh del te jetë ndërmarrja sh.p.k. Arbëria që prodhon Ujin e Alpeve, e cila ka borxh mbi 9 milionë euro. Vendin e dytë e zë ndërmarrja Fluidi me afro 4.5 milionë euro, e pasuar nga  Compact Group që prodhon ujin DEA apo uji Miros që kanë mbi 3 milionë euro borxhe secila.

22450420_1614601831929662_76550347_o

(Klubi I Prodhuesve të Kosovës)

Shoqëria civile kërkon hetime nga Prokuroria

Gazeta Fjala ka raportuar për këtë problematik pasi e kishte siguruar vendimin e kryeminsitrit për faljen e borxheve. Ky vendim, me të cilin u falen mbi 58 milionë euro, e ka shfuqizuar një nen të Udhëzimit Adminsitrativ përmes të cilit prodhuesit e ujit obligoheshin që ti kryejnë borxhet në mënyrë retroaktive.

“Aprovohet falja e borxheve për Ambalazhuesit e ujit, të paraparë në nenin 12 të Udhëzimit Administrativ (QRK) Nr. 02/2016 për Strukturën e Pagesave të Ujit”, thuhet në vendimin e Haradinajt, i cili ka hyrë në fuqi qysh ditën e nënshkrimit.

Ndaj këtij vendimi ashpër ka reaguar edhe shoqëria civile. Institutit GAP, Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) dhe Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për faljen e rreth 60 milionë eurove borxhe të ambalazhuesve të ujit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar atë të kundërligjshëm dhe të dëmshëm për buxhetin e vendit.

” Falja e borxheve për shfrytëzuesit e ujit gjithashtu është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Sipas nenit 6.1 të Ligjit për ujërat e Kosovës, “shfrytëzuesi i ujit, do t’i paguajë të gjitha shpenzimet të cilat dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”. /Gazeta Fjala/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:

Të tjera