Lajme

Ky është qëndrimi i PDK-së për “qeverinë tranzicionale” pas mbledhjes së kryesisë

Autori: Gazeta inFokus 17:22 | 07 May 2025

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur gatishmërinë për dialog me të gjitha subjektet politike parlamentare, në përpjekje për të zgjidhur krizën e thellë institucionale që, sipas saj, është shkaktuar nga “sjellja e papërgjegjshme politike e koalicionit fitues të zgjedhjeve”.

Në mbledhjen e Kryesisë së mbajtur të mërkurën, PDK ka vlerësuar se vendi ndodhet në bllokadë për shkak të mungesës së shumicës parlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, e cila “po vazhdon ta mbajë peng Kosovën”, shkruan Gazeta Infokus.

“Çdo iniciativë që synon zgjidhjen e bllokadës meriton të dëgjohet dhe diskutohet. Ne kemi zhvilluar takime me të gjitha partitë, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, ndonëse e konsiderojmë përgjegjëse kryesore për këtë krizë,” thuhet në komunikatë.

-Advertisement-

PDK thekson se është e gatshme të marrë pjesë në çdo tryezë politike që është në interes të qytetarëve dhe i bën thirrje Presidentes së Republikës të ndërmarrë hapat e nevojshëm për thirrjen e një tryeze gjithëpërfshirëse politike.

“Ne nuk do të shmangemi nga çfarëdo takimi në interes të qytetarëve,” thekson partia, duke e konsideruar dialogun si “rrugën e vetme për të dalë nga krizat politike dhe për të rikthyer normalitetin institucional”.

PDK beson se zgjidhja më e mirë për vendin është formimi i një qeverie të re nga partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë, me një listë të përbashkët të prioriteteve shtetërore.

“Qeveria e re do të duhej të ndalte izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe të ndërtonte politika zhvillimore për të gjithë qytetarët, pa dallim”, thekson komunikata.

Partia Demokratike gjithashtu i ka bërë thirrje koalicionit VV-GUXO-Alternativa që të “mos abuzojë me të drejtën kushtetuese për propozimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit” dhe të pranojë realitetin politik.

“PDK mbetet e angazhuar për të dhënë kontributin e saj në një proces demokratik dhe kushtetues që çon drejt zgjidhjes. Kosova ka nevojë për institucione funksionale sa më parë. Kosova meriton më shumë. Kosova mundet më mirë!” përmbyllet deklarata e partisë më të madhe opozitare në vend./Gazeta Infokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera