Lajme

Ky është numri i automjeteve të riregjistruara në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:30 | 05 October 2022

Nga 1 shtatori deri më 5 tetor, tetë makina që kanë pasur targa të lëshuara nga autoritetet serbe, janë riregjistruar në targa RKS (Republika e Kosovës).
Kështu thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Regjistrimet janë bërë në tetë komuna të ndryshme, prandaj nuk mund ta theksojmë ndonjë komunë me interesim më të madh. Gjithashtu, tani e tutje të gjithë qytetarët mund të regjistrojnë automjetet e tyre me targa të rajonit që i përkasin, në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve, pavarësisht nga vendbanimi i tyre në Republikën e Kosovës”, thanë nga MPB-ja.

Qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga autoritetet serbe, me akronime të qyteteve të Kosovës sikurse KM, PZ, PR e të ngjashme, mund t’i regjistrojnë ato në targa RKS deri në fund të tetorit.

-Advertisement-

Vlerësohet se rreth 10.000 makina me targa të lëshuara nga Serbia qarkullojnë në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës ka thënë se me riregjistrimin në RKS, qytetarët serbë do të mund të qarkullojnë me veturat e tyre në mbarë territorin e Kosovës.

Por, pas 31 tetorit, autoritetet në Prishtinë kanë paralajmëruar se qytetarët me makina me targa të lëshuara nga Serbia, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës e as ta kalojnë kufirin.
Procesi i riregjistrimit të makinave fillimisht ishte paraparë të niste në gusht, së bashku me vendimin për lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Por, këto dy masa u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët ngritën barrikada në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht.

Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të hiqnin dorë nga lëshimi për dokumentit për hyrje-dalje, por nuk u arrit ndonjë ujdi për targat.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera