Lajme

Ky është aktgjykimi i plotë, me shumë pak sqarime, i Supremes për lirimin e Lushtakut (Dokument)

Autori: Gazeta inFokus 15:30 | 04 July 2017

Dy gjyqtarët e EULEX’it dhe një vendor të Gjykatës Supreme, nuk kanë marrë mundin që të arsyetojnë gjatë vendimin e tyre për lirimin e Sami Lushtakut nga të gjitha akuzat për krime të kryera gjatë luftës së fundit, si ish-komandant i UÇK’së. Në pesë faqet e aktgjykimit të Gjykatës Supreme, vetëm shpjegohet si kronologji i gjithë procesi i gjykimit të Kryetarit të Skenderajt, e më pas jepen veprimet që duhet ndërmarrë ndaj tij, pas verdiktit për pranueshmërinë e arsyetimit të ankesës të avokatit të Lushtakut.

Gjykata Supreme, të hënën, ka shpallur aktvendimin për pranimin e ankesës së avokatit Arianit Koci, mbrojtës i Sami Lushtakut, ish-drejtuesit të UÇK’së të dënuar për krime lufte. Rrjedhimisht, kjo gjykatë ka liruar Lushtakun nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të EULEX’it.

Vendimi i së hënës i Supremes, ka hedhur poshtë aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të shtatorit të vitit të kaluar, e cila kishte modifikuar verdiktin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut, që më 27 Maj 2015 dënoi kryetarin e Skenderajt më 12 vite burgim për vrasje gjatë luftës.

-Advertisement-

Megjithatë, më shumë se një vit pas, Apeli e kishte liruar të njëjtin të akuzuar nga kryerja e veprës penale të vrasjes, duke e dënuar më 7 vjet burgim për një tjetër vepër penale, po ashtu për krime lufte, por që kishte të bënte me zinxhirin komandues të UÇK ‘së.

“Gjykata e Apelit e modifikoi aktgjykimin P 938/13 të Gjykatës Themelore të Mitrovicës duke i shpallur të pandehurit Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku fajtor, dhe duke e liruar të pandehurin Sahit Jashri nga vepra penale në vijim: në cilësinë e tyre si pjesëtarë të UCK-së dhe persona që ushtronin kontroll në qendrën e paraburgimit në Likoc, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, siç është e definuar në Nenin 31 të KPK-së, ata e shkelen integritetin trupo dhe shëndetin e një numri te panjohur të civilëve Shqiptarë të mbyllur në një qendër të tillë paraburgimi duke i mbajtur ata në lokale të papërshtatshme në mungesë të higjienës, duke mos i ushqyer si duhet, shpesh duke i rrahur ata, së paku gjatë gushtit dhe shtatorit të vitit 1998”, tregohet historiku i procesit gjyqësor ndaj Sami Lushtakut, në aktgjykimin e Supremes, të siguruar nga Gazeta Express.

I njëjti aktgjykim tregon se më 29 nëntor 2016, mbrojtja e Lushtakut në rastin ‘Drenica 1’ ka ushtruar ankesë në Gjykatë Supreme ndaj vendimit të lartpërmendur të Apelit. E më pas, shpjegohet se Prokuroria e EULEX’it i kishte kërkuar Supremes që ankesën e avokatit Arianit Koci ta shpallë të paafatshme, ose ta hedhë poshtë si të pabazuar.

Megjithatë, trupi gjykues i Supremes, i përbërë nga dy gjyqtarë të huaj të EULEX’it dhe një vendor, gjeti se “ankesa e parashtruar nga avokati mbrojtës Arianti Koci, në emër të pandehurit Sami Lushtaku është e pranueshme”.

“Kolegji në këshillimin e vet të mbajtur më 3 korrik 2017 e miratoi ankesën e paraqitur nga mbrojtësi në emër të Sami Lushtaktu, dhe bazuar në nenin 364(1)(1.3) të KPK-së e liroi atë nga akuza për veprën penale siç detajohet në pikën IX të aktakuzës”, thuhet në të gjeturat e panelit suprem që shpalli aktvendimin e 3 korrikut 2016, ndaj të cilit nuk mund të ushtrohet asnjë ankesë, pas vetëm një seance publike, të zhvilluar më 20 qershor të këtij viti.

“Bazuar në nenin 403(4) të KPK-së, masa e paraburgimit ndaj Sami Lushtakut hiqet dhe i pandehuri lirohet menjëherë”, tregohet në të njëjtin aktgjykim, në të cilin nuk jepet arsyetim më i gjatë për vendimin që e liroi Sami Lushtakun nga të gjitha akuzat e Prokurorëve të EULEX’it të konkretizuara më aktakuze qysh nëntorin e vitit 2013.

Pak orë pasi u shpërnda ky vendim, ish-komandanti i UÇK ‘së u la i lirë nga burgu i sigurisë së lartë në Gërdoc të Podujevës, ku mbahej deri të hënën mbrëma.

Mbrojtja në ankesën e tyre kishte marrë shembull dy aktgjykime të Tribunalit të Hagës të cilat provonin vështirësitë që të dëshmohet përgjegjësia komanduese.

“Shembulli se sa është e vështirë të provohet Përgjegjësia Komanduese, mund të vërehet në çështjen Naletilić dhe Martinović, të trajtuar nga Tribunali i Hagës në Aktgjykimin e Dhomës së Apelit të dt. 3 maj 2006, 301-307. Në këtë rast, për të provuar kontrollin efektiv të të pandehurit Naletilić, me nofkën “Tuta”, mbi kampin e paraburgimit në Ljubuški, ku vartësit e tij u kishin shkaktuar, me dashje, vuajte të mëdha të burgosurve, prokuroria kishte mbledhur dhe ofruar provat në vijim: vartësit e kanë identifikuar vetën si “njerëz të Tutës”; dëshmitarët i kanë njohur shenjat e uniformës të vendosur në krahët e autorëve të krimeve, është gjetur lista e pagave që ka përmbajtur emrat e pjesëtarëve të grupit paramilitar të Naletilićit dhe një “ditar i luftës” i një ushtari. Dëshmitë mbi të cilat Gjykata e Apelit e mbështet aktgjykimin dënues nuk janë të mjaftueshme për të provuar se Sami Lushtaku, jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm, ka zotëruar kontrollin efektiv mbi qendrën e ndalimit në Likoc. Prandaj, nuk është vërtetuar se Sami Lushtaku ka pasur kompetenca të nevojshme materiale dhe kapacitet / aftësi thelbësore të një eprori, që të ndërmarrë masa për të parandaluar dhe ndëshkuar çfarëdo veprimi kriminal që mund të ketë ndodhur aty”, thuhej ndër të tjera në ankesën e avokatit Arianti Koci, në shkallen më të lartë të gjyqësorit në Kosovë.

Ndryshe, menjëherë pas lirimit, njëri prej drejtuesve të UÇK’së, shkoi drejt e tek varri i komandantit të vrarë Adem Jashari, për të kryer homazhe dhe siç u tha për të lëvduar luftën e pastër të UÇK’së, tashmë të dëshmuar.

“Të kem shneten një herë, pastaj ta shohim”, tha kryetari i Skenderajt, kur u pyet se kur do t’i kthehet punës së komunën që drejton, pas daljes nga burgu. /M.Gj./GazetaExpress/.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera