Lajme

Kuvendi shqyrton projektligjin e dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme

Autori: Gazeta inFokus 06:50 | 28 June 2018

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme, në të cilët pritet të shqyrtojë në të dy leximet Projektligjin për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Ndërkaq po sot do të vazhdojnë punimet e seancës plenare me pikat e papërfunduara më 6, 8 dhe 14 qershor 2018, përkatësisht votimet për propozim-rezolutat për tri interpelanca të kryeministrit Ramush Haradinaj: në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, në lidhje me situatën dhe gjendjen financiare në ndërmarrjet publike të Telekomit dhe të Postës së Kosovës, si dhe atë për vendimet e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo për shkarkimin e një drejtori dhe ndarjen e mjeteve grante dhe subvencione.

Më pas, do të vazhdojë seanca me pikat e papërfunduara më 14 dhe 19 qershor 2018.

-Advertisement-

Deputetët pritet të votojnë Propozim-rezolutën nga interpelanca e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në lidhje me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) për kuartalin e katërt (K4) 2017 dhe kuartalin e parë (K1) 2018, si dhe për katër projektligje në parim: Projektligjin për aktet juridike, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në vlerën e shtuar.

Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për miniera dhe minerale.

Seanca do të vazhdojë me votimin e katër raporteve për vitin 2017: raportit vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës, raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, si dhe raportin vjetor të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Kuvendi do të vazhdojë punimet me shqyrtimin e propozimit për formimin e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me emërimet e shërbyeseve të lartë civilë në Administratën Shtetërore të Republikës së Kosovës dhe atë në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018.

Seanca pritet të përfundojë me debatin parlamentar në lidhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera