Fokus

Kuvendi rrezikon Postën e Kosovës për KEDS-in

Autori: Gazeta inFokus 09:30 | 11 April 2019

Qytetarët e Kosovës së shpejti do të paguajnë edhe 2.5 milionë euro shtesë në faturat e tyre të rrymës për Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji elektrike (KEDS).

Këtë, thonë deputetët e opozitës, e parasheh projektligji i RTK-së cili pritet të votohet të enjten në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta inFokus.

Nëse kalon ky ligj si i tillë, kompania private KEDS për mbledhjen e pagesës për transmetuesin publik do të marrë provizion 50 cent për çdo pagesë, e që i bije 2.5 milionë euro në vit.

-Advertisement-

Për Valon Ramadanin, deputet i lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh anëtar i Komisionit për Administratë Publike dhe Media është e pa pranueshme që këto para ti jepen një kompanie private derisa të njëjtën punë mund ta kryej Posta e Kosovës, e cila edhe ashtu është në gjendje të rëndë financiare.

“… Ne mendojmë që kjo tarifë duhet të mblidhet nga Posta e Kosovës. Edhe ashtu, kompani publike që është pranë falimentimit, pra është tarifë që për një vit del diku 2 milion e gjysmë, këto 2 milionë e gjysmë më mirë do të ishte të ishin për kompaninë publike sesa për kompaninë private”, pati thënë Ramadani në një konferencë për media lidhur me këtë çështje.

Sipas tij Vetëvendosje kundërshton prerazi që edhe në rast të financimit nga qytetarët kjo shumë të mblidhet nga KEDS, sepse së pari nuk është kompani e përgjegjshme, së dyti provizioni që do të marrë prej kësaj pune është tepër i lartë dhe se është e papranueshme që qytetarët të paguajnë sërish për përfitim të KEDS-it.

“Tarifa e propozuar prej 2.5 euro në muaj e lidhur me matësit e energjisë dhe të çdo ndërtese në Kosovë, qoftë ajo amvisëri, qoftë këpucëtar, zyrë, noteri, bukëpjekës fabrikë, është jo vetëm arbitrare, është skandaloze, e padrejtë dhe antikushtetuese”, pati thënë Ramadani.

Venja e kësaj takse përmes KEDS-it , sipas tij automatikisht i jep të drejt kësaj kompanie të plaçkitë qytetaret përmes faturës së rrymës, shkruan gazeta inFokus.

Ndërkaq, për çdo muaj Posta i humb nga 200 mijë euro, si pasojë e pamundësisë për të ofruar shërbime postare.

Kështu ka deklaruar në fund të vitit të kaluar kryeshefi i saj, Sejdi Hoxha.

“Nëse flasim praktikisht, vetëm KEDS-i i ka rreth 500 mijë konsumatorë në Kosovë, që një letër e thjeshtë për me e dërgu është 0.40 cent, që i bie që 200 mijë euro në muaj Posta e Kosovës i humb vetëm nga pamundësimi i padrejtë që i bëhet në ofrimin e shërbimit postar. Ngjashëm ndodh edhe me ujësjellësit edhe me kompanitë e mbeturinave”, ka thënë Hoxha.

Të enjten, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të vendosin nëse do të pranojnë që nga pagesa për Radio Televizionin e Kosovës do ti ndahen KEDS-it afro 3 milionë euro, apo do të rishqyrtohet kjo qështje./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera