Kuvendi para dilemës – ratifikimin e Demarkacionit për liberalizimin e vizave
Autori: Gazeta inFokus 17:06 | 02 February 2018
Java e ardhshme mund të jetë vendimtare për Kosovën, nëse do të arrijë të zë afatin e fundit për t’u përfshirë në agjendën evropiane, duke ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kriteri i fundit i Bashkimit Evropian për heqjen e vizave.
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, pritet të vizitojë Prishtinën më 6 shkurt. Ndërkohë që, pjesa e spektrit politik që e mbështetë ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, po përpiqet që të gjejë një zgjidhje të pranueshme edhe për pjesën tjetër të spektrit politik, që këto tri vjetët e fundit ishte kundër kësaj marrëveshjeje.
Autoritetet në Prishtinë, kanë paralajmëruar si mundësi edhe miratimin e një deklarate të përbashkët të Podgoricës dhe Prishtinës, ku do të zotoheshin për korrigjimin e Demarkacionit, nëse vërehen paqartësi apo parregullsi, në një afat prej dy vjetësh.
Një zgjidhje e tillë, besohet se do të siguronte 80 votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit, në mënyrë që më pas topi të hidhej në fushën e Bashkimit Evropian, për nisjen e procedurave rreth heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se spektri politik në Kosovë do të gjejë një konsensus që Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet sa më shpejtë.
“Kemi parë një tension të madh publik kohëve të fundit, por gjithashtu kemi parë edhe një angazhim të Qeverisë lidhur me këtë çështje. Jam optimiste dhe besoj shumë se skena politike do të gjejë një konsensus që Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të ratifikohet sa më shpejtë”, tha ministrja Hoxha.
Ajo shton se Kosova duhet të shfrytëzojë rastin dhe të ratifikojë Marrëveshjen e demarkacionit sa më shpejt. Në të kundërtën, ajo tha se Bashkimi Evropian do të humbë fokusin nga procesi i liberalizimit të vizave ndaj Kosovës.
“Unë mendoj se ne duhet të arrijmë këtë konsensus, Qeveria dhe të gjithë, sa më shpejtë që të është e mundur sepse pastaj ne e dimë që në mbledhjen fundit në nëntor që mbahet në Këshillin e BE-së, në agjendë do të jetë BREX-it (largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja), kurse në vitin 2019 fillojnë zgjedhjet parlamentare (në BE), dhe do të kemi një situatë ku mund të humbet fokusi për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Pra, duhet të shfrytëzojmë rastin që të ecim përpara”, tha ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha sqaron se pas përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës, do të nevojiten më pas edhe tre deri në gjashtë muaj, që Bashkimi Evropian ta vë në fuqi një vendim eventual për lëvizjen e lirë pa viza, për qytetarët e Kosovës.
Ndërkohë, sa i përket raportit të Komisioni Evropian për Kosovën që pritet të publikohet së shpejti, ministrja Hoxha tha se pret një raport të balancuar.
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në javën e ardhshme pritet të prezantojë strategjinë për Ballkanin dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian në këtë pjesë të Evropës.
Nisur nga kjo, ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili kishte ftuar spektrin politik që të jetë i përgjegjshëm dhe i përgatitur, që deri në atë kohë t’i kryejë obligimet e veta. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, do t’i kushtonte Kosovës “një çmim shumë të lartë”.
Lidhur me strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për Shtetet e Ballkanit Perëndimor është diskutuar edhe në Komisionin parlamentar për Integrime Evropiane.
Ndërkohë, analistë të çështjeve politike në Kosovë janë skeptikë se liderët politikë do të gjejnë një konsensus të brendshëm dhe t’i kryejnë obligimet që kanë. Imer Mushkolaj, analist thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës kanë humbur hapin në përmbylljen e obligimeve ndërkombëtare.
“Nëse ekziston vullneti politik nuk do të thotë se brenda një jave nuk mund të përmbyllet përmbushja e këtyre obligimeve, por duke pasur parasysh papërgjegjësinë e klasës politike në Kosovë është pak e besueshme për të mos thënë e pamundur që një gjë e tillë të arrihet në përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që Kosova ka marrë”, thotë Mushkolaj.
Institucionet e Kosovës, shton ai, kanë humbur një periudhë të favorshme për të marrë mbështetjen e nevojshme të Bashkimit Evropian. Ai thotë se viti tjetër nuk do të jetë në favor të Kosovës.
“Kur flasim për vitin e ardhshëm, flasim për një situatë të paqartë, një situatë që mund të jetë jo në favor të Kosovës, duke pasur parasysh se në vendet e Bashkimit Evropian është duke u rritur ndikimi i forcave ekstremiste, kushtimisht forcave që janë kundër Bashkimit Evropian, e që rrjedhimisht do të duhej të ishin dhe kundër zgjerimit të BE-së, e aq më shumë do të jenë në disfavor të Kosovës për shkak të situatës specifike që gjendet vendi karshi Bashkimit Evropian si tërësi, por edhe karshi pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Mushkolaj.
Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutuara në skenën politike të Kosovës.
Kosova pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nuk mund të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.
Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi.
Derisa, mungesa e ratifikimit nga Kosova, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.
Të tjera
-
Abdixhiku në Hamburg këtë fundjavë, paralajmëron dy tubime
Kryetari I LDK-së, Lumir Abdixiku ka njoftuar për agjendën që do ta ketë gjat...
-
Sandulloviq-Hillit: “Duhet t’ju vijë turp nga vetja”
Politikani serb, Nikolla Sandulloviq, e ka postuar një fotografi në platformë...
-
Mbahet ceremonia e lidhjes me internet të shkollës së 100-të në Republikën e Kosovës
Ministria e Ekonomisë, përmes Projektit të Kosovës për Ekonomi Digjitale (KOD...
-
Departamenti amerikan i Shtetit demanton dyshimet e ngritura ndaj Escobarit
Pretendimi i ngritur nga Vudi [Vedat] Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari...
-
Hoxhaj: Qytetarët që menduan se me Kurtin vjen ndryshimi, ta korrigjojnë atë – ta shohin PDK-në si adresë politike
Nënkryetari i kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se nëse qy...
-
Gjeneral Jashari: FSK mbështet Ukrainën në përballje me agresionin e Rusisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari...
-
Kurti pritet nga Baerbock, kërkon mbështetjen gjermane deri në anëtarësimin e Kosovës në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur në takim nga Ministrja e Ja...
-
Dalja e shqiptarëve në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut shënon rënie
Dalja e shqiptarëve në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit në Maqedoninë e ...
-
Tejkaloi shpejtësinë e lëvizjes, gjobitet me 300 euro
Policia e Kosovës njofton se njësia për kontroll të autostradave, në zonën ku...
-
Gjermania e bindur se Brukseli do të ecën drejt heqjes së sanksioneve pas votimeve në veri
Me organizimin e procesit të votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve aktual...
-
Policia gjen dy bun*erë dhe ąrmë zjąrri në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit
Policia e Kosovës njofton se gjatë një operacioni të koduar ‘Baroni’ në rajon...
-
Ish-presidentja Jahjaga tregon si ia siguroi Kosovës pajisjen mjekësore 1.5 milionëshe nga Fondacioni Alwaleed
Ish-presidentja e Kosovës, Atifeta Jahjaga, ia ka siguruar QKUK-së një pa...