Kushtetuesja tregon se kur do të merret vendimi që tregon ligjshmërinë e Qeverisë Hoti
Autori: Gazeta inFokus 15:11 | 30 November 2020
Karshi zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, posaçërisht me fitoren e LVV-së në Podujevë, partia që udhëhiqet nga Albin Kurti mund ta marrë një shansë të dytë me datë dy dhjetor edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë ditë pritet që GJK-ja në një seancë publike të dëgjojë opinionet e palëve, derisa, në fund do të publikohet edhe verdikti lidhur me ligjshmërinë apo jo të votës së deputetit Etem Arifi. Një vendim pro Vetëvendosjes sjell një situatë të re politike në vend.
Të gjitha palët iu janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Gjykatës Kushtetuese për seancë publike që do të mbahet me datë 2 dhjetor.
Në një përgjigje për Gazetën Express nga ky institucion kanë bërë të ditur se seanca do të fillojë në ora 10:00.
Kjo seancë dëgjimore do të mbahet përmes video-konferencës e në Kushtetuese thonë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj.
“Në seancën dëgjimore publike e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj”, thonë nga zyra për media e Gjykatës Kushtetuese për Gazetën Express.
Nga GJK-ja bëjnë të ditur se palët nuk kanë kërkuar shtyerjen e seancës, e se gjatë ditës së nesërme do të njoftojnë për informacione më të detajuara.
“Asnjëra nga palët e përfshira në rast nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës. Për më shumë hollësi rreth mundësisë së përcjelljes së drejtpëdrejtë të seancës dëgjimore publike, do të mund t’i referoheni edhe njoftimit për media që Gjykata do ta publikojë gjatë ditës së nesërme”, thonë nga Gjykata.
Si do të mbahet seanca?
Seancat dëgjimore në Kushtetuese mund të mbahen në rast se Gjykata urdhëron mbajtjen e tyre duke besuar se në këtë mënyrë mund të qartësohen provat.
Këto seanca janë publike përveç nëse urdhërohet ndryshe nga Gjykata, kur ka arsyetim të mirë sipas Ligjit ose sipas kësaj Rregulloreje.
Të gjitha seancat dëgjimore do të jenë të hapura për qytetarët, përveç kur Gjykata urdhëron përjashtimin e qytetarëve nga seanca, nëse një përjashtim i tillë kërkohet për sigurinë e ndonjërës nga palët ose të përfaqësuesve të tyre, apo për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.
”Çdo pale, përfaqësuesi, dëshmitari ose pjesëmarrësi tjetër në seancë dëgjimore, sjellja e të cilit ndaj gjyqtarit ose ndaj Sekretarit të Përgjithshëm nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës, ose i cili sillet në mënyrë fyese ndaj palës tjetër apo të ndonjë përfaqësuesi të palës tjetër, mund t’i shqiptohet vërejtje nga Kryetari dhe t’i jepet mundësia të mbrojë veten. Kryetari, në konsultim me gjyqtarët, mund të urdhërojë shqiptimin e masave disiplinore, përfshirë shqiptimin e gjobës, në pajtim me normat e vendosura nga Gjykata, ose, në raste të jashtëzakonshme, përjashtimin nga seanca dëgjimore”, thuhet në rregulloren e këtij institucioni, ku bëhet e ditur gjithashtu se kryetari mund ta përjashtojë një vëzhgues nga seanca, nëse sjellja e tij/saj nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës apo nëse ai/ajo shkakton shqetësim në Gjykatë.
Seanca mund të shtyhet nga kryetari i Gjykatës nëse ndonjëra palë dëshmon se për ndonjë arsye të rëndësishme nuk mund të marrë pjesë në seancë.
Kryetari vendos nëse do të urdhërojë shtyrjen e seancës dëgjimore dhe Sekretariati i njofton palët me një vendim të tillë. Kur urdhëron shtyrjen e seancës, Kryetari mund të urdhërojë që pala, e cila ka bërë kërkesë, të paguajë shpenzimet që ajo palë ia ka shkaktuar palës tjetër ose palëve të tjera, si rezultat i kërkesës për shtyrje.
Kryetari e hap seancën dëgjimore dhe është përgjegjës për sjelljen e duhur gjatë seancës. Pala që është e përfaqësuar mund t’i drejtohet Gjykatës nëpërmjet përfaqësuesit, përveç nëse gjyqtari i bën ndonjë pyetje drejtpërsëdrejti palës.
Me datë 2 dhjetor palëve të përfshira do t’i jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.
Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës palë periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.
Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa, merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës.
Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.
Për këtë arsye nga LVV-ja ishin drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend.
Të tjera
-
Dënohen me pesë vite burgim tre zyrtarë të Fushë Kosovës, akuzoheshin për korrupsion
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre zyrtarëv...
-
Dy milionë britanikë vuajnë nga simptoma të gjata të COVID-it, tregon studimi
Dy milionë njerëz në të gjithë Anglinë dhe Skocinë ende vuajnë nga simptoma t...
-
Deputetja finlandeze takon presidenten Osmani: Kosova duhet pranuar në Këshillin e Evropës pa parakushte shtesë
Deputetja finlandeze, Tytti Tuppurainen ka takuar presidenten Vjosa Osmani. ...
-
Përfundon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve për këtë javë
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 57-të të ZPS-së, gjykimi në çës...
-
Kurti para gjermanëve: Duam t’i bashkohemi BE-së, NATO-s dhe KiE-së
Kryeministri Albin Kurti ka përmendur qëllimin e Kosovës për integrimin euroa...
-
Rikthimi i ftohtit rrezikon të mbjellat në Evropë
Moti i ftohtë i këtyre ditëve e në disa rajone të Evropës edhe breshëri që ka...
-
Zveçan: Policia i gjen armë në shtëpi, i dyshuari dërgohet në mbajtje
Policia e Kosovës njofton se të mërkurën gjatë kontrollit në shtëpinë e një t...
-
Opozita lëshon sallën, shkak raporti i DASH e marrëveshjet ndërkombëtare
Partitë opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit të Kosovës. Arsyeja për kët...
-
Hulumtimi i Infokusit: Ferat Shala e quan të dyshimtë dhe të kundërligjshme marrëveshjen e Liburn Aliut për tunelin Prizren – Tetovë
Gazeta Infokus ekskluzivisht të mërkurën ka publikuar marrëveshjen e nënshkru...
-
LAJMI I FUNDIT: Lirohen nga akuza Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku
Janë liruar nga akuza, Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylej...
-
Murati: S`po ratifikohen marrëveshjet që do të përfitonim 300 milionë euro
Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se janë 300 mil...
-
Avokati i Popullit, i shqetësuar me akuzat për ngacmime seksuale në UP
Institucioni i Avokatit të Popullit është shprehur jashtëzakonisht i shqetësu...