Lajme

Kushtetuesja i jep të drejtë Konjufcës që e pyeti nëse duhet t’ua çojë për vlerësim amandamentet kushtetuese para miratimit në Kuvend

Autori: Gazeta inFokus 13:28 | 01 August 2023

Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si të pranueshme një kërkesë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

Kryetari i Kuvendit në dhjetor të vitit të kaluar i kishte kërkuar Kushtetueses të bëjë vlerësimin nëse ai duhet t’i referojë amendamentet kushtetuese të propozuara për vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese para miratimit në Kuvend, me qëllim që të konstatohet nëse amendamenti i propozuar kushtetues i pakëson të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës.

“Gjykata, njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të konstatojë që (ii) amendamenti i propozuar i nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, përmes të cilit, listës së marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare drejtpërdrejtë të aplikueshme në Republikën e Kosovës i shtohet edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

-Advertisement-

“Përkitazi me vlerësimin e amendamentit kushtetues të propozuar nga Kuvendi, Gjykata fillimisht analizoi parimet kryesore të përcaktuara me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe vuri theks në të drejtat që ajo përcakton lidhur me (i) respektin për dinjitetin e natyrshëm, autonominë individuale, përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale dhe pavarësinë e personit me aftësi të kufizuara; (ii) respektimin e parimit të mosdiskriminimit; (iii) pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive të personave me aftësi të kufizuara në shoqëri; (iv) respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (v) respektin për kapacitetet në zhvillimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara; si dhe (vi) respektin për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre”, thuhet më tej në njoftimin e Gjykatës.

Kushtetuesja po ashtu thotë se “vuri theks në detyrimet pozitive që merr përsipër Republika e Kosovës përmes këtij amendamenti kushtetues, duke pasur parasysh që Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara përcakton edhe detyrime specifike pozitive ndaj shteteve, ndër tjerash, për ndërmarrjen e (i) masave të nevojshme legjislative; si dhe (ii) masave të tjera, duke krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të Konventës në fjalë”.

Teksti i plotë i vendimit të Kushtetueses do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera