Lajme

Kush po mashtron për vaksinat antiCOVID?

Autori: Gazeta inFokus 17:43 | 01 March 2021

Ministria e Armend Zemajt përmes një komunikate ka njoftuar për të gjithë hapat që kanë marrë në lidhje me sigurimin e vaksinës antiCOVID nga kompania PFIZER.

Në këtë “sqarim”, MSH-ja thotë se është arritur marrëveshja me këtë kompani dhe ka mbetur vetëm edhe nënshkrimi i saj, mirëpo ata lënë fajtor kompaninë pse kjo ende nuk ka ndodhur.

Mirëpo të njëjtën nuk e kanë thënë edhe nga kjo kompani, shkruan Gazeta inFokus.

-Advertisement-

“Më 8 janar, MSh-së i është konfirmuar sërish se 500.000 vaksina të Pfizer janë ndarë për Kosovën. Në takimin 8 janarit, palët janë dakorduar që brenda javës, MSh-së t’i dërgohet edhe marrëveshja finale për nënshkrim. Në çdo takim, pas 8 janarit, MSh ka kërkuar që palët ta kenë për nënshkrim marrëveshjen finale. Edhe pse MSh-së i është thënë nga përfaqësuesit e Pfizer se marrëveshja është e gatshme dhe do të dërgohet për nënshkrim, MSh se ka pranuar ende marrëveshjen në fjalë, dhe nuk është shpjeguar nga kompania në fjalë as pse ka vonesa në këtë drejtim”, thuhet në këtë komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Në një përgjigje për Gazetën inFokus nga kompania Pfizer &BionTech kanë thënë se nuk është arritur ende një marrëveshje në mes të Kosovës dhe kësaj kompanie për vaksinën.

Madje ndryshe nga Ministria e Shëndetësisë e cila po deklaron se me 8 janar kjo kompani i ka premtuar marrëveshjen dhe ka mbetur vetëm të nënshkruhet, nga Pfizer për inFokus kanë thënë se janë vetëm në diskutime dhe se nuk ka asgjë për të bërë publike.

“Ne jemi në diskutime me Qeverinë në Kosovë për të siguruar qasje në vaksinë. Diskutimet me Qeverinë janë konfidenciale dhe nuk kemi asgjë për të njoftuar në kohën e tanishme”, ka deklaruar Urša Lakner, menaxhere e kompanisë për rajonin e Adriatikut.

Lakner ka thënë se Pfizer dhe BioNTech janë të përkushtuar për të sjellë këtë vaksinë për të ndihmuar në përmbushjen e nevojës globale të shëndetit publik.

Gazeta inFokus në lidhje me këtë kishte kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët kishin deklaruar se vaksinat do të vinin në shkurt dhe se ishte arritur marrëveshje për 500 mijë vaksina më kompaninë Pfizer por nga ky institucion nuk kishin kthyer ndonjë përgjigje./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera