Fokus

Kush po i mban mbyllur kosovarët?

Autori: Valon Rogova 16:48 | 25 December 2018

 

 

Selisë së Bashkimit Evropian në Prishtinë iu zu dera ditën e hënë nga një grup studentesh të Universitetit të Prishtinës.

-Advertisement-

Kërkesë të vetme ata kishin heqjen e vizave.

Por jo të gjithë mendojnë se BE është fajtore e mos heqjes së vizave për kosovarët.

Xhavit Drenori, nga Iniciativa Qytetare mendon se korrupsioni dhe mos sundimi i ligjit në Kosovë është shkaktar kryesore i izolimit të tërë qytetareve.

“Bashkimi Evropian e di që sistemin gjyqësor e kemi jo funksional. BE-ja, nuk është ka e thotë një gjë të tillë shumë konkrete. Por mos sundimi i ligjit dhe korrupsioni në vend janë shkaktar kryesorë që ne nuk po mund të lëvizim lirshëm e për këtë pa faj nuk është klasa politike”, tha për inFokus Drenori.

Nga ana tjetër, publicisti dhe njohësi i proceseve të integrimeve evropiane, Daut Dauti, vlerëson se  protesta për heqjen e vizave mund të merret vetëm si shprehje e pakënaqësisë dhe revoltës kundër Unionit Evropian.

Por, sipas tij, për viza dhe shumë çështje tjera vendosin shtetet anëtare të kësaj bashkësie në mënyrë individuale.

“Ndonëse studentët kanë të drejtën e tyre legjitime të protestojnë, nuk mendoj se kjo është rruga efikase për të gjetur zgjidhjen e çështjes së vizave pasi BE, nuk është adresa e saktë ku zgjidhet ky problem dhe studentët do të duhej ta dinin këtë gjë”, tha Dauti për inFokus.

Edhe njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj mendon se studentët dhe qytetarët tjerë duhet kërkuar fajet tek institucionet e vendit.

Ai shtoi se janë humbur shumë vite duke u përplasur për disa gjëra që do të duhej të ishin kryer vite më parë.

“Tri vjet i kanë humbur vetëm me demarkacion e përplasje politike. BE, e ka pjesën e vet të përgjegjësisë sa i përket vendimmarrjes politike, por institucionet e vendit është dashur t’i kryejnë punët me kohë, sidomos të intensifikojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Mushkolaj. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera