Ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se diaspora është investitori më i madh, por çështjet juridike shpesh herë pengojnë punën e investitorëve të huaj që të operojnë këtu.

“Në vitin 2017 diaspora ka kontribuar diku me 740 milionë remitenca në Kosovë, sipas vlerësimeve, diku rreth 300 milionë të tjera si shpenzime që nuk kanë kaluar nëpër sisteme bankare, që kanë shkuar në dorë private. Ne besojmë diku mbi 1 miliard është kontributi i drejtpërdrejtë i diasporës çdo vit”.

-Advertisement-

“… buxheti i shtetëror është diku rreth 2 miliardë që i bije që gjysma e  buxhetit shtetëror në një mënyre vjen nga diaspora, pra kontributi i diasporës është jetik për vendin tonë, nuk është diçka që çon peshë pak apo shumë, por është jetik dhe e barabartë me kontributin e qytetarëve tanë këtu në aspektin e zhvillimit ekonomik”, tha Gashi.

Gashi tha se sfidat e investimeve të diasporës në Kosovë janë të njëjta me investitorët vendorë, ai thekson që më së shumti si problem dhe sfidë e investimeve janë çështja juridike, ku për një lëndë të caktuar në gjykatë i duhet investitorit të presë 3 deri ne 4 vjet.

“Aspekti kryesor është pasiguria juridike sa i përket investimeve, mbrojtja e investimeve. Nuk mund të investojë dikush në Kosovë, qoftë vendor a ndërkombëtar apo nga diaspora kur për një lëndë në gjykatë pritet me 3-4 vjet e më shumë për të zgjidhur një kontekst juridik që ka të bëjë me një investim apo konflikt financiar ekonomik”, tha Gashi.

“Ky është problemi numër një me të cilën ballafaqohen dhe i frikësohen edhe investitorët klasik të huaj edhe bashkatdhetarët tanë, por dhe vetë qytetarët e Kosovës që hezitojnë shpesh të investojnë. Vetëm bankat e Kosovës depozitat e qytetarëve tanë janë mbi 3 miliardë edhe qytetarët tanë që jetojnë në Kosovë hezitojnë të investojnë”.

Ai po ashtu tha se për shkak të probleme që ka Kosova me burokracinë dhe kushteve që nuk kanë pasur mundësi t’iu ofrojnë kompanive të ndryshme për investime, shpesh herë kompani të caktuara fillojnë operime në vendet fqinje dhe nuk investojnë në vendin tonë.

Sipas tij, për këtë arsye është themeluar kjo ministri dhe Ligji për Investime Strategjike ka krijuar lehtësira që i janë nevojitur Kosovës që një kohë të gjatë, raporton EO.

Ai po ashtu tha se investitorëve iu është krijuar lehtësira në blerjen e pronës dhe çmimet e tyre janë të njëjta me vendet perëndimore.

“Ne mundemi, tokat, prona shoqërore apo të komunës të japim deri në 99 vjet në shfrytëzim një investitori, i cili garanton që do të punësojë një numër të caktuar të njerëzve tek ne dhe që nuk do të mbyllë fabrikën para viteve të caktuara”.

“Të gjitha licencat dhe leja për marrjen në shfrytëzim të tokave apo të objekteve të tjera afariste që janë në pronë publike do të merren nga nshteti i Kosovës dhe jo investitori, që të gjitha këto lehtësira janë duke u bërë me qëllim që të marrim edhe ne një investitor që në të gjithë regjionin ka zhvillim të madh që fatkeqësisht Serbia është një prej shteteve që ka një zhvillim të hatashëm në drejtim të rritjes së investimeve, Maqedonia po ashtu, kurse ne jemi shumë prapa”.