Opinione

Kush fitoi e kush humbi në villën e ‘Agës’ Titë në Ohër?

Autori: Gazeta inFokus 11:25 | 23 March 2023

Lufta brutale për pushtet i kushtoi Kosovës gati 10 vite të humbura në avancimin ndërkombëtar të saj. Paramendoni, pushteti aktual e refuzoi mu në Kuvend të Kosovës “Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 të nënshkruar me Kosovës dhe Serbisë”, ndërsa nuk e bëri as edhe një përpjekje të vetme ta refuzonte po në Kuvend as edhe një marrëveshje të vetme me Serbi, e aq më pak Zajednicën dhe Gjykatën Speciale, për rishikimin apo shfuqizimin e të cilave kishte premtuar aq shumë sa ishte në opozitë.

Ndërsa, përderisa një pjesë e politikës sonë mezi po e bënte realitet shtetin e Kosovës duke u koordinuar ngushtë me SHBA e BE, kjo pjesa tjetër që aktualisht është në pushtet po bënte pikërisht të kundërtën, s’po njihte shtetin, simbolet, institucionet, bashkëpunimin me ndërkombëtarët po e cilësonte “servilitet” dhe “lëshuarje pe”, po kundërshtonte, po poshtëronte e sulmonte fizikisht institucione e personalitete vendore e ndërkombëtare, thjeshtë s’po linte gur pa lëvizur kundër shtetësisë së Kosovës që mezi po bëhej.

Këto sulme masive ndaj shtetësisë së Kosovës pushteti aktual sa i ishte në opzitë i vazhdoi derisa erdhi përfundimisht në pushtet. Të gjitha të arriturat që kurrë në histori s’i kishim i cilësoi “shkatërrim 20 vjeçar”. Aq rëndë i akuzonte e poshtëronte Krerët e UÇK-së që sot padrejtësisht mbahen në Hagë saqë sot shumë njerëz të prekur nga jo propagandë e ligë i barazojnë Krerët e UÇK-së me Millosheviqin, pra deri në atë shkallë kishin arritur të mbillnin urrejtje vetëm e vetëm për të ardhur në pushtet pa zgjedhur mjete.

-Advertisement-

Politika aktuale sapo erdhi në pushtet ndërroi 100%, siç ndërruan të gjitha të tjerat para saj. I hodhi pas shpine të gjitha premtimet e bëra për së paku 15 vite sa ishte në opozitë. Me lehtësi të padurueshme filloi me zbatimin e të njëjtave marrëveshjeve me Serbi, të cilat sa ishte në opozitë i cilësonte “antikombëtare”. I akuzonte pushtetet e kaluara për korrupsion, ndërkohë që në Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për vitin 2022 u kritikua më rëndë se çdo qeveri deri me sot pikërisht për shkak të “korrupsionit serioz në qeverisje dhe mosndëshkim”. Pra, u njëjtësua me pushtet e kaluara më shpejtë se çdokush deri me sot.

Megjithatë, tanimë që të gjitha i takojnë së kaluarës. 10 vite të humbura luftë brutale për pushtet nuk kthehen më. Sulmet brutale ndaj shtetësisë së Kosovës do të ngelen njolla më e zezë në historinë më të re të Kosovës. Ndërkohë që, rajoni i Ballkanit Perëndimor si i tërë duhej që patjetër të merrte kurs transatlantik dhe për çudi villa ‘Agës’ Titë doli të ishte lokacioni përkatës për këtë, kjo në kohën kur Rusia kishte bërë  invazion në Evropë. Dhe pyetja që më së shumti i intereson qytetarit të Kosovës, është se kush fitoi dhe kush humbi në villën e ‘Agës’ Titë në Ohër.

Përgjigjja e madhe është se fitues ishin të gjithë. Përfundimisht rajoni i Ballkanit Perëndimor përmes Ujdisë së Ohrit mori kurs transatlantik. Kosova doli nga kurthi ku e kishte futur Serbia në dy vitet e fundit përmes provokimeve në veri, ndërkohë që Serbia përfundimisht mori kurs transatlantik. Vetë fakti që Kosova po dërgonte forca policore në veri të Kosovës pa u koordinuar me Amerikanët dhe Evropianët po e konfirmonte futjen nën grackë të Serbisë. Lufta në Ukrainë e prishi aleancën e lidhur mes Evropës dhe Rusisë nga viti 2000 deri në 2022. Kjo luftë do të zgjasë derisa të dërmohet ekonomikisht Rusia, sikurse i kishte ndodhur Bashkimit Sovjetik në Afganistan. Humbja e Rusisë në Ukrainë automatikisht do të thotë humbje për Serbinë dhe të gjitha aleatët e Serbisë në Evropë.

E tëra kjo do të thotë fitore e madhe për popullin shqiptar. NATO do t’i shtyjë kufijtë saj deri te kufiri rus. SHBA përmes Kanalit të ri të Stambollit që po ndërtohet krahas Ngushticës së Bosforit për ta lidhur Det i Zi me Detin Marmara do të vendosë flotën e saj ushtarake në Detin e Zi për ta futur kështu nën kontroll tërë Pellgun e Detit të Zi në kurriz të dobësimit të Rusisë.

Zhvillimi ekonomik i Evropës do të lëvizë nga Franca e Gjermania te Polonia e Ukraina, sepse vetë zhvillimi ekonomik i këtyre dy të fundit do të jetë shtysë për demokratizim të Rusisë, për të marrë më pas kurs miqësor ndaj Evropës.

Kthimi i Serbisë kah Perëndimi do të thotë qetësi dhe prosperitet në Ballkan Perëndimor. Rënia e Rusisë në Ukrainë, kthimi i Evropës kah SHBA dhe rënia brutale demografike në Serbi bashkë me largimin e serbëve nga Kosova do t’ia përthajnë çdo përpjekje të Serbisë për të shkaktuar tensione e probleme në Kosovë e më gjerë. Vetë integrimi gradual në struktura transatlantike do ta detyrojë Serbinë që të heqë dorë nga tensionet në Ballkan Perëndimor. Lidhja e Ballkanit Perëndimor me BE përmes infrastrukturës do ta përshpejtojë integrimin e rajonit në BE. Shqipëria, e mbështetur fuqishëm nga Amerikanët, do të projektojë fuqi ekonomike drejt Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, vërshuarja e investimeve të huaja drejt porteve shqiptare sidomos pas Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit 2020 të nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, pastaj lidhja me hekurudhë e Durrësit me Prishtinën dhe Strugën si dhe ndërtimi i megaporteve të thata në Prishtinë e Strugë – ku do të punësohen me mijëra njerëz – do të jenë shtysë e madhe për zhvillim ekonomik të të gjitha hapësirave shqiptare.

Kosovës tash pas Ujdisë së Ohrit – nëse tregohet konstruktive – do t’i hiqen vizat nga BE, do të anëtarësohet në Këshill të Evropës, do t’i hapen negociatat për anëtarësim në BE, do të anëtarësohet në NATO dhe pas rënies së Rusisë në Ukrainë do të anëtarësohet dhe në OKB, ku Rusia pas humbjes në Ukrainë do të përjashtohet nga Këshilli i Sigurimit.

Aq pak serbë do të ngelen në Kosovë në 10 apo 20 vitet e ardhshme, saqë një Serbi e kthyer kah Perëndimi nuk do të ketë më asnjë mundësi që të luajë me kartën e Zajednicës apo karta tjera, sepse toka pa njerëz nuk ka kurrfarë kuptimi. Brenga e Evropës dhe e Ballkanit Perëndimor tash e tutje nuk do të jetë më lufta, por sigurimi i fuqisë punëtore për shkak të rënies së madhe demografike dhe plakjes së popullsisë gjithandej Evropës. E kjo brengë do të vazhdojë të jetë e tillë gjatë tërë shekullit 21.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera