Lajme

Kush është Gresa Caka-Nimani që prej sot e udhëheq Gjykatën Kushtetuese?

Autori: Gazeta inFokus 13:17 | 25 June 2021

Gjyqtarja Gresa Caka-Nimani ka pranuar sot detyrën e kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Por, kush është Gresa Caka-Nimani?

Caka-Nimani është dekretuar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor të vitit 2015.

Sipas biografisë së saj të publikuar në faqen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, deri në emërimin e saj, gjyqtarja Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).

-Advertisement-

Gjatë shërbimit të saj në USAID, ndër të tjera, ajo ka qenë përgjegjëse për të këshilluar në hartimin e strategjive të USAID-it; dhënien e këshillave dhe të opinioneve rreth ligjeve të aplikueshme e Kushtetutës; menaxhimin e portfolios së programeve të sundimit të ligjit, përfshirë reformat në drejtësi.

Gjyqtarja Caka-Nimani ka qenë pjesëmarrëse në grupe të ndryshme punuese për hartimin e legjislacionit në fushën e sundimit të ligjit.

Gjatë viteve 2006-2008, ajo ka qenë koordinatore dhe këshilltare e mbështetjes së Qeverisë Amerikane për Grupin Punues, dhe më pas, Komisionit Kushtetues, përgjegjës për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për kontributin e dhënë në këtë proces, gjyqtarja Caka-Nimani është vlerësuar me disa çmime dhe dekorata nga USAID në Kosovë, por edhe me disa Çmime të Merituara Nderi nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Studimet për drejtësi, gjyqtarja Caka-Nimani i ka kryer në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës (2004), ndërsa magjistraturën në fushën e integrimeve evropiane dhe regjionalizmit e ka përfunduar në Universitetin e Grazit, Austri (2007). Ajo aktualisht vijon studimet për doktoratë në fushën e së drejtës kushtetuese në Universitetin e Grazit, duke u fokusuar në ndërkombëtarizimin e kushtetutbërjës, thuhet në biografinë e saj.

Gjyqtarja Caka-Nimani është gjithashtu bartëse e provimit të jurisprudencës dhe atij për përmbarues privat (2013). Ajo është e certifikuar në çështjet e drejtësisë dhe të qeverisjes, duke përfshirë Qendrën Federale Gjyqësore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe programet për lidership strategjik nga Instituti Federal Ekzekutiv Amerikan.

Në biografinë e saj bëhet e ditue se nga viti 2017, Caka-Nimani bashkëpunon me Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Elektorale (International IDEA), me seli në Hagë, dhe është autore e kapitullit “Kushtetuta e Pavarësisë së Kosovës: Përkushtimi i Njëanshëm për një Kushtetubërje të Ndërkombëtarizuar”, në kuadër të librit “Kushtetutbërësit për Kushtetutbërjën”, të edituar nga Tom Ginsburg, Universiteti i Chicago-s dhe Sumit Bisarya, International IDEA, që do të publikohet nga Cambridge University Press në vitin 2022.

Gjyqtarja Caka-Nimani është pjesëmarrëse e shumë konferencave vendore dhe ndërkombëtare në fushën e drejtësisë, përfshirë si paneliste lidhur me “Kushtetutbërjën në Shoqëri pas Konflikteve” në Forumin Botërorë të Drejtësisë V (Hagë, Holandë 2017) dhe në konferencën ndërkombëtare për “Gratë dhe Kushtetutat pas Konflikteve” të organizuar nga Universiteti William and Mary (Williamsburg, SHBA, 2018).

Në biografinë e Caka-Nimanit bëhet e ditur se ajo është dekoruar me një numër dekoratash dhe mirënjohjesh. Ndër të tjera, ajo është vlerësuar me pesë “Çmime të Merituara Nderi” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për kontribut të vlefshëm në fushën e sundimit të ligjit dhe me çmimin “Michael K. Ëhite Memorial Aëard” për kontribut të veçantë në hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjyqtarja Caka-Nimani është e martuar dhe ka dy vajza. Ajo është motra e ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera