Fokus

Kush është drejtoresha e re e Shërbimeve Publike në Prishtinë?

Autori: Gazeta inFokus 16:46 | 04 April 2019

Medina Braha është emëruar drejtoreshë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Braha u emërua në këtë pozitë nga kryetari, Shpend Ahmeti në të njëjtën ditë kur u emëruan edhe drejtoresha  e Kulturës, Blerta Basholli dhe drejtoresha e Administratës, Vasilika Zotaj.

Kryetari Ahmeti këtë emërim e bëri në fund të muajit mars, ku në prezantimin e tyre përmendi faktin se ato kanë përgatitjen e duhur për të udhëhequr këto drejtori.

-Advertisement-

“Në Komunën e Prishtinës tanimë nga 16 drejtori, 7 apo 44 për qind udhëhiqen nga vajzat/gratë. Por, Medina, Blerta e Vasilika nuk po emërohen vetëm pse janë gra. Ato sjellin përgatitje, përvojë dhe zotësi për të udhëhequr dikasteret e përmendura”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.

Drejtoresha e re e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha është nga Prishtina, ku ka kryer shkollën fillore dhe atë të mesme.

Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës ku kreu nivelin e studimeve bachelor, gjenerata 2006-2009, në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë.

Nivelin master e përfundoi në “Staffordshire Universit”, në drejtimin e ekonomisë për Analizë Biznesi.

Ndërsa, është kandidate për doktoraturë në “İstanbul Ticaret Üniversitesi”, për Administrim Biznesi dhe Menaxhim.

Medina Braha flet katër gjuhë, shqip, anglisht, gjermanisht dhe turqisht.

Braha ka punuar si asistente në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishitna”, pastaj në kolegjin “International Business College” në Mitrovicë, shkruan gazeta inFokus.

Po ashtu Braha ka ligjëruar si mysafire në Universitetin “Petra” në Jordani.

Ajo ka qenë e angazhuar edhe në disa projekte të ndryshme, përfshirë edhe projekte në Zyrën Kombëtare të Auditimit. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera