Lajme

Kusari-Lila: Ndërhyrja e Thaçit nuk ndihmon në arritjen e koalicionit VV-LDK

Autori: Gazeta inFokus 18:53 | 10 January 2020

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ndërhyrja e Presidentit Hashim Thaçi nuk e ndihmon arritjes së marrëveshjes midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për ta formuar Qeverinë e re.

Ajo ka thënë se në Kosovë ka pasur situata të ngjashme ku subjektet politike janë vonuar ta formojnë Qeverinë dhe roli i Thaçit nuk ka qenë kaq aktiv.

“Për këtë rast presidenti Hashim Thaçi ende nuk e ka marrë emrin e mandatarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Përderisa nuk ka predispozitë të qartë që e tregon hapësirën kohore për emrin e mandatarit; atëherë mendoj që edhe Presidenti duhet të ketë vetë-frenim nga gara politike apo kundërshtia politike”.

-Advertisement-

“Dihet se flasim për dy oponentë politikë [Kurti-Thaçi] në vazhdimësi. Tash ndërhyrjen e çfarëdo natyre të Thaçit në këtë proces shumë të ndjeshëm që nuk i bënë mirë arritjes së një marrëveshje, nuk po e shoh si pozitive”.

“Në momentin e parë kur ka sinjale se do të ketë votim të koalicionit qeverisës në Kuvend, atij [Thaçit] zyrtarisht do t’i dërgohet emri i mandatarit të Qeverisë”.

“Jam shumë e sigurt se do të pritet momenti kur ku do të ketë mundësi të mirëfillta të votohet kabineti qeverisës në Kuvend. Kemi pasur situata të ngjashme të vonesave gjatë vitit 2017 dhe nuk e kemi pasur një rol kaq aktiv të Thaçit (asokohe kur partia e parë ka qenë edhe ish-partia e tij)”.

“Sa është afër koalicioni nuk kam informata të qarta sikurse edhe ju. Ndërsa a është i mundur? Unë mendoj se është i domosdoshëm – kjo për faktin se gjithë ajo shpresë dhe entuziazëm i 6 tetorit tregoi se qytetarët ishin shumë të qartë në përcaktimin e tyre për ndryshim”.

“Nëse klasa politike dështon ta përcjellë kërkesën dhe mandatin që e ka marrë drejtpërdrejt prej popullit me votën e qytetarëve; atëherë me siguri se do të ketë probleme shumë serioze me funksionimin e demokracisë në Kosovë në muajt në vijim”. /klan/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera