Lajme

Kusari-Lila: Ka edhe shqiptarë bandita që e shfrytëzojnë rrymën në veri për kriptovaluta

Autori: Gazeta inFokus 15:58 | 27 April 2021

Deputetja, Mimoza Kusari Lila, ka deklaruar se në veri të Kosovës ka edhe disa shqiptarë, që ajo i quajti bandita, që shkojnë atje për të prodhuar kriptovaluta, meqë energjia elektrike nuk paguhet nga banorët atje.

“Për 20 vjet s’kemi mundur ta kemi një kompani që shkon te secili qytetar në veri derë më derë e që i thotë ‘kaq ke shpenzuar dhe kaq ke për të paguar. Tash rrethanat janë këto: Është një marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel në vitin 2013 që e parasheh të licencohet një kompani për këtë”.

“Kemi edhe shqiptarë banditë që i kanë çuar atje pajisjet për t’i prodhuar kriptovalutat. Ne po e paguajmë rrymën për ta ruajtur subjektivitetin shtetëror dhe prezencën tonë atje. Nëse ne e ndërpresim rrymën, ta vazhdon Serbia brenda një minute”.

“Këtu është problemi shkak-pasojë. Duhet licencim për furnitorin në veri”, deklaroi Kusari-Lila në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.

Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha që si Qeveri dhe si qytetarë mendojnë që secili që konsumon energji elektrike duhet ta paguajë, por kjo, siç tha ajo që nuk është kryer për 20 vjet, nuk mund të realizohet brenda 30 ditëve dhe as në javët në vijim.

Të tjera