Lajme

Kurti zhvillon takim virtual me përfaqësuesit e FMN-së, flet edhe për inflacionin

Autori: Gazeta inFokus 19:31 | 02 November 2021

Kryeministri, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takim virtual me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, prirë nga Gabriel Di Bella, Shef i Misionit për Kosovë.

“Kurti gjatë bisedës tha se ndonëse pandemia ka sjellë tendosje të konsiderueshme duke qenë se po i afrohemi vitit të dytë të pandemisë, performanca e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë me një rritje mesatare prej 10.4% në pjesën e parë të 2021, na bën optimistë se kjo do të jetë trajektorja e zhvillimit të vendit edhe për vitet në vijim. Kjo performancë ka ndikuar edhe në të hyra buxhetore, të cilat na kanë mundësuar zbatimin e pikave të programit qeverisës më herët se që kishim planifikuar, gjë që mund të vërehet edhe me buxhetin e vitit 2022, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Nga ana tjetër, thuhet se Di Bella ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për suksesin në vaksinimin e popullatës, duke e bërë vendin lider në rajon, përkundër faktit që kishte një start të vonshëm në këtë proces.

-Advertisement-

Ai gjithashtu foli mbi performancën e mirë ekonomike dhe buxhetore, që ishte përtej parashikimeve fillestare. Në lidhje me këtë u shpreh, që Kosova përbënte një rast unik në botë, ku diaspora kishte një ardhje kaq të lartë në atdhe, pas lirimit të masave.

Në takim u diskutua edhe në lidhje me masat për formalizimin e ekonomisë të ndërmarra nga Qeveria, e që kanë rezultuar me më shumë të hyra buxhetore. Po ashtu, u diskutua edhe për inflacionin, që është fenomen i shfaqur muajve të fundit në nivel global dhe masat, që qeveria jonë dhe qeveri të ndryshme nëpër botë po ndërmarrin që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Presidenti i UNI z. Alejtin Berisha, folës mbi temën “Women’s Role in Artificial Intelligence Development” në DOKUTECH, edicioni i 11-të

Të tjera