Lajme

Kurti tha se Latifi do të punonte online nga SHBA-ja, faqja e MSH-së nga 27 dhjetori pa asnjë aktivitet

Autori: Gazeta inFokus 10:48 | 04 January 2022

Ndërkohë që varianti Omicron ka goditur edhe Kosovën dhe deri më tani janë konfirmuar 17 raste për vetëm një javë, ministria e Shëndetësisë e ministri, Rifat Latifi duket të jenë ende në pushim.

Që nga 27 dhjetori asnjë lajm për ndonjë aktivitet ose punë të ministrit Latifi nuk është publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndryshe prej muajve të tjerë kur në këtë faqe publikohej çdo gjë që ministri bënte gjatë ditës pra të gjitha aktivitetet e tij.

I pari i shëndetësisë nuk dihet nëse ende është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku do të festonte festat e fundvitit së bashku me familjen.

E pas raportimeve për “ikjen” e tij në ditën kur varianti i rrezikshëm i COVID-19 arriti edhe në Kosovë, varianti I quajtur Omicron, kryeministri Albin Kurti i pyetur në një një konfernecë për media se pse ministri është jashtë vendit, deklaroi se Latifi do të punonte online nga SHBA-ja.

“Nuk ka person që nuk është online dhe i koordinon punët. Pas një karriere në SHBA, një çik si shpejt është dashur të përgatitet të vijë në Kosovë dhe direkt në pandemi. Nuk mund të them se është për qëllime personale sa për institucionin që ka punuar atje. Ka numër të pafundmë të studentëve që kanë doktoruar e magjistratura te ai. Ai mua më ka siguruar që duke i ndarë punët dhe duke qenë ‘online’ nuk do ta cenojë bashkërendimin në MSh”, kishte deklaruar Kurti.

Mirëpo kjo nuk duket të ketë ndodhur të paktën sipas ëeb faqes zyrtare të MSH-së ku shihet se nuk është publikuar asnjë aktivitet i ri që nga 27 dhjetori.

Përveç në llogarinë e MSH-së në facebook ku janë publikuar rastet pozitive me COVID-19 dhe gjendja me COVID në 24 orët e fundit siç publikohet tashmë çdo ditë që nga shpërthimi i virusit edhe në Kosovë. Mirëpo asnjë aktivitet tjetër nga ministri Latifi apo i ndërmmarë nga MSH-ja.

Gazeta Infokus ka kontaktuar edhe me MSH-në për të pyetur nëse ministri është kthyer apo jo ende nga SHBA-ja, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Kujtojmë se deri më sot në vend nga virusi COVID-19 kanë humbur jetën 2 mijë 991 qytetarë./Gazeta Infokus/

Të tjera