Lajme

Kurti takoi Kryesinë e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 12:42 | 29 August 2021

Një ditë para 30 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Kryesinë e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur të Kosovës: kryetarin Ahmet Grajçevci dhe anëtarët: Haki Kasumi, Xhemile Morina, Kumrije Karaqica dhe Salih Muhaxheri, raporton Gazeta Infokus.

Grajçevci e njofto Kurtin për aktivitetet dhe punën që ka bërë Këshilli për të ndihmuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën çlirimtare.

Ai tha se e konsiderojnë të drejtë kërkesën e kryeministrit Kurti për hapjen e arkivave të Serbisë sepse, siç tha ai, krimet që kanë kryer forcat serbe të sigurisë në Kosovë, janë bërë me urdhër komandues dhe bartja e fshehja e kufomave është administruar nga shteti serb.

-Advertisement-

Kryesia e Këshillit tha se e përkrahin plotësisht kërkesën e kryeministrit Kurti për largimin e Veljko Odalloviqit nga udhëheqja e Komisionit Qeveritar të Serbisë për të Zhdukurit. Sipas tyre, Odalloviqi si ish-zyrtar i lartë i Serbisë në Kosovë ka njohuri për vendndodhjen e varrezave, por nuk është treguar konstruktiv në bashkëpunim. Kryesia e Këshillit e njoftoi kryeministrin edhe për përgatitjet që i kanë bërë organizatat dhe asociacionet për shënimin e Ditës Ndërkomëbtare për Personat e Zhdukur.

Kurti e njoftoi Kryesinë e Këshillit për insistimin e tij të vazhdueshëm në çdo takim me zyrtarë ndërkombëtarë dhe në takimet me zyrtarët e lartë të Serbisë për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për vendvarrezat e tjera në Serbi, ku dyshohen se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ai tha se tashmë ka filluar procedura e amandmentimit te Ligjit për personat e zhdukur dhe se pritet të shkojë në Kuvend brenda vitit.

Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera