Lajme

Kurti: Serbia shfaqi ambiciet e saj për aneksimin e territorit të Kosovës

Autori: Gazeta inFokus 10:58 | 03 October 2023

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Serbia me anë të sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, shfaqi ambiciet hegjemonike për ta aneksuar territorin e vendit tonë.

Këto deklarime ai i bëri gjatë një diskutimi të organizuar nga Shkolla Politike e Prishtinës me temën “Procesi i Berlinit: Arritjet e deritanishme, pritjet nga samiti i ardhshëm dhe përfitimet e mundshme nga Iniciativa e Përbashkët e Tregut Rajonal”.

“Kjo tregon se fqinji ynë verior, nuk është i interesuar për bashkëpunim regjional për t’u integruar në BE”, tha Kurti.

-Advertisement-

Kurti shtoi se përgjegjësit dhe organizatorët duhet të japin llogari për organizimin e sulmit terrorist.

“Presim që të ndodh ndëshkimi për sulmuesit, në këtë rast Serbisë që e mbështeti ushtarakisht, financiarisht, politikisht, për atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit. Por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi i të gjithë atyre që po ndjeken sepse ikën nga vendi i krimit”, tha Kurti.

“Më lejoni të përkujtoj se me datën 26 qershor në Kuvendin e Kosovës ne i kemi shpallur dy organizata terroriste, ‘Mbrojtjen civile’ dhe ‘Brigadën veriore’, të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale”, shtoi i pari i Qeverisë së Kosovës.

Më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist serb, me ç’rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera