Ekonomi

Kurti pret përfaqësuesit e kompanisë Kosmonte të cilëve u tha se Qeveria ua dha 25 hektarë për biznes

Autori: Gazeta inFokus 21:04 | 03 August 2022

Kurti sot priti në takim përfaqësues të kompanisë “Kosmonte Foods” nga Kosova dhe “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia. Qeveria e Kosovës ia kishte ndarë kompanisë “Kosmonte Foods” 25 hektarë tokë, pronë e shtetit, në emër të investimeve që do të bëjë kompania në Kosovë.

Qeveria, me miratimin e pastajmë në Kuvend, shpalli një kompani vendore “investitor strategjik” dhe i dha 25 hektarë tokë. Në Kuvend ishte thënë se po jepej për 99 vjet. Madje, një kompanie për të cilën raportohet se kishte një kontest gjyqsor me ministrinë e Bujqësisë. Ndryshe prej “Sunny Hill”-it, ministritë u bënë bashkë që t’ia shtronin terrenin “Kosmonte”-s mirë. Më poshtë gjeni detaje nga ky rast.

Në shtator të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte vendosur ta rekomandojë kompaninë ‘Kosmonte Foods’, si Investitor Strategjik. Ministra e Industrisë, Rozeta Hajdari, e kishte arsyetuar përzgjedhjen e kësaj kompanie, por në Kuvend nuk ishte shfaqur që të prezantonte vendimin.

-Advertisement-

Mes kundërshtimesh, vendimin e kishte miratuar edhe Kuvendi në shkurt.

Ndaj kompanisë në fjalë, Agjencia e Pyejeve kishte ngritur padi për mosrespektim të një kontrate të mëhershme që e kishin. Dhe, sipas një udhëzimi adminsitrativ, kompania që ka problem me ligjin nuk mund të rekomandohet si “Investitor Strategjik”. Edhe në Kuvend, përfaqësuesit e opozitës e kishin përmendur këtë kontest.

Për t’ia shtruar terrenin kompanisë, kishte informata, të cilat përmendeshin në Kuvend se Ministria e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci e kishte tërhequr padinë nga gjykata.

Fillimisht nuk ishte e qartë, e më pas në media u raportua se bëhej fjalë për 25 hektarë në Fushë Kosovë, të dhënë në shfrytëzim, pa kompensim.

Procesi u pa si i kundërligjshëm nga opozita, duke u konsideruar se rasti është për Prokurori, dhe jo për ndarje tokash, për çka partia e Albin Kurtit u akuzua se favorizoi këtë kompani, që sipas tyre, ishte donator i Vetëvendosjes.

Për takimin që u mbajt në kryeministri, zyra e kryeministrit ka shpërndarë një komunikatë ku u dhanë detaje rreth asaj se cfarë u fol në takimin ku krah Kurtit ishin të pranishëm edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe shefin e stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, takuan sot përfaqësuesit e kompanive “Kosmonte Foods” nga Kosova dhe “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia, të cilat janë përkushtuar për investimin e ri në fushën e mbarështimit të shpezëve dhe prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit të freskët të shpezëve”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Tutje tregohet se përfaqësuesit e kompanive i treguan Kurtit detaje se si do të investohet në Kosovë.

““Perutnina Ptuj Group” ka traditë 117 vjeçare në këtë sektor, punëson mbi 3,700 punëtorë në 7 shtete të ndryshme, ka mbi 500 bashkëpunëtorë të cilët rrisin zogj në mjediset e tyre natyrore, posedon 6 fabrika prodhimi dhe eksporton në 20 shtete në të gjithë botën. Ndërsa partneri i tyre për Kosovë, “Kosmonte Foods” me traditë 22 vjeçare, është gjithashtu përfaqësues i tyre për tregun e Shqipërisë, Gjermanisë, Dubait dhe Katarit. Drejtori Ekzekutiv i “Perutnina Ptuj Group”, Enver Sisic, prezantoi para kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve tjerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës idenë e investimit me treguesit konkret”, vazhdon komunikata.

Kjo është komunikata e plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe shefin e stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, takuan sot përfaqësuesit e kompanive “Kosmonte Foods” nga Kosova dhe “Perutnina Ptuj Group” nga Sllovenia, të cilat janë përkushtuar për investimin e ri në fushën e mbarështimit të shpezëve dhe prodhimit dhe përpunimit të produkteve të mishit të freskët të shpezëve.

“Perutnina Ptuj Group” ka traditë 117 vjeçare në këtë sektor, punëson mbi 3,700 punëtorë në 7 shtete të ndryshme, ka mbi 500 bashkëpunëtorë të cilët rrisin zogj në mjediset e tyre natyrore, posedon 6 fabrika prodhimi dhe eksporton në 20 shtete në të gjithë botën. Ndërsa partneri i tyre për Kosovë, “Kosmonte Foods” me traditë 22 vjeçare, është gjithashtu përfaqësues i tyre për tregun e Shqipërisë, Gjermanisë, Dubait dhe Katarit.

Drejtori Ekzekutiv i “Perutnina Ptuj Group”, Enver Sisic, prezantoi para kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve tjerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës idenë e investimit me treguesit konkret.

Kryeministri Kurti e mirëpriti shprehjen e interesimit të partnerëve nga Sllovenia dhe Kosova për të investuar në Kosovë dhe i siguroi investitorët që Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u angazhuar maksimalisht që të lehtësojë ambientin e të bërit biznes dhe të investuarit në Kosovë. Kompanitë kredibile ndërkombëtare që sjellin njohuritë me fokus në cilësi, siguri dhe gjurmueshmëri, me rrjetet e tyre të shpërndarjes së produkteve nëpër botë, janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë, tha kryeministri Kurti.

Ndërkaq ministrja Hajdari i njoftoi përfaqësuesit e kompanive “Perutnina Ptuj Group” dhe “Kosmonte Foods” për përparësitë konkurruese për të investuar në Kosovë dhe u ofroi mbështetjen institucionale në realizimin e interesimit të shprehur për investim në vendin tonë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera