Lajme

Kurti pret në takim deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, u bisedua për bashkëpunim në fusha të ndryshme

Autori: Gazeta inFokus 15:32 | 15 July 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers nga radhët e Partisë Konservatore dhe Stephen Doughty, Alex Sobel dhe Luke Pollard nga radhët e partisë Laburiste, shkruan Gazeta Infokus.

Ata thanë se Kosova ka mbështetjen e plotë ndërpartiake në Britani të Madhe, ndërkaq shprehën interesimin për mundësitë dhe format e shtimit të bashkëpunimit në fusha si ajo e infrastrukturës, energjisë së ripërtëritshme, shkëmbimit tregtar dhe sigurisë.

Ndërkaq, i pari i qeverisë tha se Britania e Madhe është mike, partnere dhe aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.

-Advertisement-

“Nyje e fortë e lidhjes ndërmjet Kosovës dhe Britanisë së Madhe është intervenimi i NATO-s, në vitin 1999. 23 vjet më pas, Kosova është tregim i dyfishtë i suksesit. Së pari, sukses i ndërhyrjes perëndimore dhe NATO-s për të ndaluar gjenocidin serb. Dhe së dyti, është dëshmi që zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore funksionojnë krah për krah. Ai tha se është shumë e rëndësishme që të mbrohet rrëfimi i ndërhyrjes së suksesshme të NATO-s në Kosovë, sepse kështu mbrohet edhe historia e NATO-s”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Gjithashtu, Kurti ka thënë se Kosova e vlerëson lart mbështetjen ndërpartiake që gëzon në Britani të Madhe dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës e ka interesimin, vullnetin dhe gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar më shumë dhe më mirë në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për pasojat dhe rreziqet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që javën tjetër shënon muajin e pestë, si dhe veprimet e menjëhershme që Republika e Kosovës ka ndërmarrë në linjë me politikat e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe solidarizimin me Ukrainën”, thuhet në komunikatë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera