Lajme

Kurti pret ambasadorin e ri të Australisë: Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet e plotë, shpejt dhe pa kushtëzime

Autori: Gazeta inFokus 17:36 | 06 June 2023

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti të martën në një takim mirëseardhës Ambasadorin e ri joresident të Australisë për Kosovë, Richard Rodgers.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në fillim të takimit, kryeministri shprehu falënderimin e tij, të shtetit dhe popullit të Kosovës për miqësinë, ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Australisë.

-Advertisement-

“Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse për kontributin e Australisë për pranimin e 4000 refugjatëve në vitin 1999 dhe për përkrahjen e pandërprerë në fuqizimin e subjektivitet ndërkombëtar të Republikës së Kosovës përmes anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Australia ishte shteti i 8-të që e njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm një ditë pas shpalljes së saj”, citohet të ketë thënë Kurti.

Ata folën edhe për raportet dypalëshe ndërmjet vendeve dhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit, teksa kryeministri e njoftoi për progresin në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe demokratik në dy vitet e fundit.

Ambasadori Rodgers u shpreh se dy vendet ndajnë dëshirën e përbashkët për sundim të ligjit dhe dashurinë për demokraci dhe se pret qe puna e tij të jetë më lehtë për shkak të vlerave të njëjta që ndajmë.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti dhe ambasadori Rodgers biseduan edhe për rreziqet që dezinformimi paraqet për shoqëritë tona dhe demokracinë, si dhe për domosdoshmërinë e trajtimit të tij.

“Gjithashtu, diskutuan edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me theks te Marrëveshja Bazike e dakorduar me 27 shkurt dhe Aneksi i saj me 18 mars. Në lidhje me këtë, kryeministri Kurti tha se ajo duhet të zbatohet e plotë, shpejt dhe pa kushtëzime”, njofton tutje Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri Kurti e uroi ambasadorin Rodgers për përgjegjësinë e re, duke i dëshiruar suksese në përmbushjen e saj dhe duke i ofruar bashkëpunim të afër të tij dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso
-Advertisement-

Të tjera