Lajme

Kurti premton funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor

Autori: Gazeta inFokus 19:36 | 12 December 2019

Në Ditën Ndërkombëtare të Mbulimit Universal me Shërbime Shëndetësore, organizuar nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, ka folur lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti .

Ai ka thënë se krijimi i parakushteve për sigurime shëndetësore për qytetarët e Republikës së Kosovës është i lidhur ngushtë me funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, i cili përfshin të gjitha modalitetet, shkruan gazeta inFokus.

Ky sistem fillon nga lista e shërbimeve, çmimorja e çdo shërbimi, regjistrimi i personelit shëndetësor, regjistrimi i pacientëve, sistemi i referimit, udhërrëfyesit klinik, regjistri i barnave deri te siguria e të dhënave.

-Advertisement-

“Te sigurimet shëndetësore duhet ta vëmë theksin te shëndeti dhe siguria e shëndetit, jo tek financat.

Financat janë të pashmangshme por nuk janë pikënisje. Po e rikujtoj edhe njëherë se krijimi i parakushteve për sigurime shëndetësore për qytetarët e Republikës sonë është i lidhur ngushtë me funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor, i cili përfshin të gjitha modalitetet.

Duke filluar nga lista e shërbimeve, çmimorja e çdo shërbimi, regjistrimi i personelit shëndetësor, regjistrimi i pacientëve, sistemi i referimit, udhërrëfyesit klinik, regjistri i barnave deri te siguria e të dhënave.

Vetëm në këtë mënyrë do të ndërtojmë bashkë një sistem, i cili do të bëhet pjesë e identitetit të qytetarëve të Republikës dhe e njeriut të Kosovës.

Përderisa nuk e kemi sistemin informativ shëndetësor, përderisa nuk i kemi sigurimet shëndetësore ne nuk mund të themi që i kemi të drejtat dhe liritë e njeriut në Kosovë. Mëqenëse liria e qytetarit dhe e njeriut, e drejta e qytetarëve dhe njeriut është e lidhur me këtë parakusht, me këtë garancion, me këtë themel të jetës së tij e të veprimtarisë së tij.

Andaj qysh në javën e parë të punës si kryeministër në qeverinë e re të Republikës së Kosovës do të fillojmë të gjitha përgatitjet me shpejtësi për Sistemin Informativ Shëndetësor.

Në këtë mënyrë ne e fuqizojmë edhe shtetndërtimin demokratik, sepse e fuqizojmë edhe sundimin e ligjit dhe rregullsinë, standardet, kriteret të cilat janë të domosdoshme që shteti të bëhet i parashikueshëm për qytetarin, e në anën tjetër, edhe aksidentet e paparashikueshme për qytetarin të gjejnë ilaçin tek organizimi i mirë që do të bëjmë”, është shprehur Kurti./Gazeta inFokus/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera