Lajme

Kurti: Po punojmë për krijimin e një politike kulturore, që do të rezultojë me demokraci dhe gjithpërfshirje

Autori: Gazeta inFokus 18:19 | 21 June 2022

Me ftesë të Avokatit të Popullit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti diskutoi me akterët kryesorë të sistemit të drejtësisë në Kosovë në tryezën lidhur me “zgjidhjen efektive të zvarritjeve te procedurës gjyqësore – shkelja e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm”.

Në hapje të tryezës, kryeministri Kurti theksoi vlerësimin pozitiv të Komisionit të Venedikut për reformat e synuara në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, respektivisht për koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për Vetting në drejtësi dhe projektligjit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

-Advertisement-

Është bindje imja e thellë dhe e palëkundur se ne, edhe si shoqëri edhe si shtet, të gjithë së bashku dhe njëkohësisht secili në funksionin dhe me përgjegjësitë e veta, do ta arrijmë ta synojmë bashkërisht, suksesshëm ndërtimin e një shoqërie moderne me shtet të së drejtës ligjore dhe integrimin jo vetëm në Këshillin e Evropës, por edhe në NATO e në BE, tha kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes së rëndë të trashëguar të papërgjegjshmërisë në institucione publike për respektimin dhe zbatimin e ligjit nga vetë autoritetet publike. Po punojmë për krijimin e një politike kulturore, me angazhime të gjithanshme, e cila do të rezultojë me demokraci dhe gjithpërfshirje. Krejt kjo me qëllim të rritjes së besimit shoqëror në autoritetet publike, tha kryeministri Kurti.

Ai tha se të gjitha përpjekjet për krijimin e një kulture politike e juridike demokratike, domosdoshmërisht e shtrojnë një kërkesë të patjetërsueshme, për sinkronizim të veprimeve të të gjitha nënsistemeve në sistemin e përgjithshëm shtetëror, duke ruajtur pavarësinë funksionale të tyre sipas garancive kushtetuese të ndarjes së pushteteve.

Fjala e plotë e kryeministrit:

I nderuar Avokat i Popullit, z. Qelaj

E nderuar znj. Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Caka Nimani,

E nderuar Ministre e Drejtësisë, znj. Haxhiu,

I nderuari Kryesues i Këshillit Gjyqësor, z. Zogaj,

I nderuari Kryetar i Gjykatës Supreme, z. Peci,

Të nderuar gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të organizatave vendore e ndërkombëtare,

Të nderuara zonja dhe zotërinj, të pranishëm në këtë tryezë diskutimi,

Të nderuar pjesëmarrës, i nderuar Avokat i Popullit, më lejoni të ndaj me ju gjithë kënaqësinë për vlerësimin pozitiv të Komisionit të Venedikut për reformat e synuara në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës, respektivisht për koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për Vetting në drejtësi dhe projektligjit të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Unë ndjehem shumë i nderuar dhe i lumtur për ftesën e Avokatit të Popullit dhe mundësinë e ofruar për të diskutuar me akterët kryesorë të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Unë e konsideroj si veprim me vend dhe në kohën e duhur diskutimin për çështjen e shtruar në këtë tryezë pra “zgjidhjen efektive të zvarritjeve te procedurës gjyqësore – shkelja e së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm”.

Tema e shtruar për diskutim fiton edhe më shumë rëndësi në dritën e përpjekjeve të Republikës së Kosovës për integrim në sistemin e së drejtës dhe të vlerave demokratike evropiane, me kërkesën e shtruar zyrtarisht për pranim në Këshillin e Evropës, më 12 maj të këtij viti.

Si shtet i ri, i përkushtuar për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të drejtë, mbi premisat e shtetit të së drejtës ligjore, veç tjerash, ne sot ballafaqohemi me sfida dhe pengesa të shtresuara gjatë viteve në zbatimin e sundimit të ligjit në Kosovë, që janë aktuale dhe po na përcjellin në vazhdimësi.

Është bindje imja e thellë se ne jemi të përkushtuar dhe të vendosur për ballafaqim me të gjitha këto sfida. Kur them “NE”, as intimisht e as nominalisht nuk kufizohem vetëm në ekzekutivin e vendit në Qeverinë, por mendoj në të gjitha fushat e organizimit shoqëror që përbëjnë sistemin shtetëror, pra mendoj në qeverisjen si koncept i udhëheqjes institucionale e shoqërore si tërësi, të ndarë në le të themi, nënsisteme ligjbërës, ligjvënës, ligjzbatues, vendimmarrës, atë të kontrollit (shoqëria civile dhe mediat) dhe korrektues (Avokati i Popullit dhe tërë mozaiku i institucioneve tjera të pavarura).

Pikërisht këtë konglomerat të nënsistemeve të veçanta të organizimit shoqëror, të rregulluar dhe të garantuar me ligjin më të lartë – Kushtetutën, e shoh dhe konsideroj si sistem të qeverisjes shtetërore. Mirëpo, si tërësi na kundron bota së jashtmi.

Kur është fjala te bota dhe te kundrimi i Kosovës nga jashtë, ne gjendemi në një fazë të rëndësishme sa i përket dizajnimit të raporteve të Kosovës me botën, në radhë të parë me Bashkimin Evropian.

Sado që nuk dua të shpërqendrohem nga tema e shtruar në këtë tryezë, nuk mund ta injoroj krizën më të madhe të sigurisë në Evropë pas luftës së dytë botërore me rastin e agresionit brutal, të paprovokuar të Rusisë ndaj një shteti të sovran e të pavarur, Ukrainës, të përcjellë me krime të tmerrshme të luftës, kundër njerëzimit e me veprime gjenocidale. Nuk mund ta injoroj agresionin brutal rus ndaj Ukrainës, për aq sa tanimë presidenti despotik Putin vazhdimisht ka involvuar edhe Kosovën në ndërtimin e argumentit të tij për këtë sulm, dhe për aq sa ky involvim i Kosovës në kontekstin e kësaj lufte dhe krijimi i rrethanave gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Evropë, i përcakton edhe sjelljet e shteteve evropiane të Bashkimit Evropian dhe mbarë botës ndaj Kosovës.

Me përpjekjet tona për integrim në sistemin evropian të vlerave, si shoqëri dhe si shtet, thënë thjesht, troç e popullore, duhet të shtrëngojmë rripin edhe më shumë. E një nga sfidat më të mëdha, aty ku ne duhet ta shtrëngojmë rripin veçanërisht, është drejtësia si koncept bazë që mundëson bashkëjetesën njerëzore, me theks në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Në këtë kuptim, dua të përmend disa nga veprimet konkrete të Qeverisë së Republikës së Kosovës në arritjen e synimeve afatgjate, me fokus të veçantë në fushën e drejtësisë.

Në korrik 2021, Qeveria ka miratuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026, me Plan të Veprimit, dhe përshkrim specifik të veprimeve dhe masave që parashihen të ndërmerren nga të gjitha hallkat e qeverisjes: Qeveria respektivisht Ministria e Drejtësisë, KGjK-ja, e KPK-ja, Akademia e Drejtësisë, Policia e Kosovës etj, për t’i adresuar problemet e identifikuara dhe për t’i arritur objektivat e synuara.

Sipas këtij Plani të Veprimit, për funksionimin e duhur dhe të pavarur të gjyqësorit janë të rëndësishme: efikasiteti, profesionalizmi, llogaridhënia dhe integriteti. Ndërsa ndër sfidat e identifikuara dhe të vazhdueshme, përveç nevojës për rritje të profesionalizmit, llogaridhënies së pamjaftueshme dhe ndikimeve nga faktorë të jashtëm, sidomos atyre politikë, veçohet dhe theksohet zvarritja në sistemin gjyqësor dhe prokurorial, apo mungesa e drejtësisë gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm, ashtu siç e garanton Neni 6 i KEDNJ dhe Neni 31 i Kushtetutës sonë.

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, Qeveria përkatësisht Ministria e Drejtësisë finalizoi Koncept Dokumentin për procesin e Vettingut, të miratuar më pas nga Qeveria, duke e krijuar një grup punues për përmbylljen e legjislacionit të nevojshëm në Nëntor 2021. Varianti me ndryshimet kushtetuese për procesin e Vettingut, që synon vlerësim të performancës, pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ashtu siç e dini, është tumirur nga Komisioni i Venedikut, së bashku me projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme në procedurë civile, të cilat së shpejti do të procedohen në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë vazhdë, në mars të vitit 2022, Kuvendi miratoi Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet penale, Projektligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar në çështjet civile, Projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe Projektligjin për çështjet e pronës publike.

Një muaj më pas, në prill, u miratua në lexim të parë Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Projektligji për Shërbimin Korrektues të Kosovës, Projektligji për Shërbimin Sprovues të Kosovës dhe Projektligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ndërsa, së shpejti pritet të nxirren para Kuvendit edhe Projektligji për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë si dhe Projektligji për Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Sistemi kushtetues i Kosovës i ka vënë vetes për detyrë parësore që t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas të drejtës ndërkombëtare, me vendimet detyruese të gjykatave ndërkombëtare, duke u dhënë prioritet traktateve ndërkombëtare/rajonale dhe konventave të të drejtave të njeriut të zbatuara në të drejtën vendore (neni 22 i Kushtetutës së Republika e Kosovës).

Ne kemi ende shumë punë për të bërë në drejtim të bashkërendimit të kompetencave ligjbërëse të Qeverisë dhe procedurave ligjvënëse të Kuvendit dhe zgjerimit të horizontit shoqëror të përfshirjes në diskutime, politikbërje dhe vendimmarrje e kontroll. Një intensifikim i përpjekjeve në këtë drejtim është evident, mirëpo ky intensifikim përcillet me mangësi dhe problemet e shtresuara të trashëguara ndër vite e që besa edhe dekada.

Qeveria e Kosovës është duke bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes së rëndë të trashëguar të papërgjegjshmërisë në institucione publike për respektimin dhe zbatimin e ligjit nga vetë autoritetet publike. Po punojmë për krijimin e një politike kulturore, me angazhime të gjithanshme, e cila do të rezultojë me demokraci dhe gjithpërfshirje. Krejt kjo me qëllim të rritjes së besimit shoqëror në autoritetet publike.

Të gjitha këto përpjekje për krijimin e një kulture politike e juridike demokratike, domosdoshmërisht e shtrojnë një kërkesë të patjetërsueshme, për sinkronizim të veprimeve të të gjitha nënsistemeve në sistemin e përgjithshëm shtetëror, duke ruajtur pavarësinë funksionale të tyre sipas garancive kushtetuese të ndarjes së pushteteve. Mirëpo, asnjë tërësi sistemore, nuk mund të funksionojë pa sinkronizim të plotë të veprimeve të pjesëve përbërëse. E shteti si tërësi e organizimit shoqëror nuk bën përjashtim, por është pjesë e këtij rregulli.

Garancitë kushtetuese dhe ligjore për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit dhe ndarjes së drejtësisë ligjore, domosdo duhet të përcillen edhe me profesionalizmin dhe ndarjen e drejtësisë në kohë reale ligjërisht dhe shoqërisht të pranueshme, që në gjuhën juridike do të thotë: brenda një afati të arsyeshëm kohor. Këto garanci kushtetuese për pavarësi funksionale të sistemit të drejtësisë, natyrisht që i nënshtrohen mbikëqyrjes dhe kontrollit autonom të organeve kompetente brenda vetë sistemit të drejtësisë.

Kjo ka rëndësi të veçantë tani, kur sistemit të kontrollit gjyqësor do t’i shtohet edhe një instancë e jashtme, ajo e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vendimet dhe parimet ligjore të së cilës ne i kemi njohur dhe zbatuar në mënyrë të njëanshme, pa kontrollin e jashtëm vendimmarrës e sanksionues. Po shpresoj se kjo do të jetë një shtytje thelbësore në përmirësimin e sistemit të gjyqësorit në Republikën tonë.

Kërkesa dhe pritja jonë e drejtë për pranim në Këshillin e Evropës, përveç forcimit substancial të së drejtës së qytetarëve të Republikës sonës për kontroll të jashtëm demokratik të sistemit politik dhe juridik e shtron domosdoshmërinë edhe për një angazhim të shtuar për parandalimin e keqpërdorimit të pushtetit, që kërkon forcim të garancive ligjore kundër arbitraritetit dhe abuzimit të pushtetit nga autoritetet publike. Kjo kërkon zbatim strikt të parimit të sundimit të ligjit me kufizime të qarta ligjore për pushtetin diskrecional të autoriteteve publike, që duhet domosdo të përcillet me funksionim adekuat të të gjithë mekanizmave qeverisës për të parandaluar, korrigjuar dhe sidomos për të sanksionuar këto veprime arbitrare.

Me krijimin e sistemit të tillë të vlerave, mekanizmave dhe kulturës së veprimit, ne jo vetëm që përmbushim kriteret për pranim në Këshillin e Evropës, por bëjmë hapat vendimtarë në procesin e synuar të integrimit në BE, duke përmbushur njëkohësisht edhe standardet e BE-së për sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit si sfidat dhe shqetësimet kryesore edhe të Bashkimit Evropian, edhe tonat.

Ne jemi të përkushtuar që të ndërtojmë shtetin e së drejtës, të drejtës ligjore me siguri të bazuar në ligje të drejta, të parashikueshme e të zbatueshme, ku ligji është jo vetëm normë e sjelljes së detyrueshme dhe e sanksionuar por edhe normë morale shoqërore e pranueshme dhe e respektueshme, që garanton barazinë para ligjit dhe pamundëson diskriminimin, që garanton qasje të pakufizuar në drejtësi me një gjyqësor të pavarur, të paanshëm e profesional, që para së gjithash e mbi të gjitha, duke kufizuar e pamundësuar keqpërdorimin e arbitraritetit pushtetor, krijon besimin në drejtësinë ligjore dhe shoqërore.

Është bindje imja e thellë dhe e palëkundur se ne, edhe si shoqëri edhe si shtet, të gjithë së bashku dhe njëkohësisht secili në funksionin dhe me përgjegjësitë e veta, do ta arrijmë ta synojmë bashkërisht, suksesshëm ndërtimin e një shoqërie moderne me shtet të së drejtës ligjore dhe integrimin jo vetëm në Këshillin e Evropës, por edhe në NATO e në BE.

Ju falemnderit për vëmendjen e shpresoj që bashkërisht nuk do të na mungojnë sukseset gjithnjë edhe më të mëdha në të ardhmen.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion

Të tjera