Lajme

Kurti: Po diskutohet mundësia e një takimi me Vuçiqin në javën e dytë të dhjetorit

Autori: Gazeta inFokus 15:11 | 05 December 2021

Ka mundësi që takimi i ardhshëm i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq të zhvillohet në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel.

Duke folur për këtë, kryeministri Kurti konfirmoi sot në një konferencë për media se takimi i radhës në Brusksel mund të zhvillohet para fundit të këtij viti.

“Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel, me presidentin e Serbisë”, tha Kurti.

-Advertisement-

Ai deklaroi se nuk ka informacione nëse Serbia po e kushtëzon vazhdimin e dialogut. Sipas tij, mbajtja e takimit varet nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të tij, Miroslav Lajçak.

“Nuk kam kurrfarë informacione që ka kushtëzime nga ndokush, veçse vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo, i përket ndëmjetësuesit apo lehtësuesit – siç e quajnë ata veten – përkatësisht Z. Joseph Borrell dhe emisarit të tij, Miroslav Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse do të na i dërgojnë ftesat ose jo, e jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër”, u shpreh Kurti.

Brenda dy javësh, kryeministri i Kosovës bisedoi dy herë në telefon me të ngarkuarin e SHBA-së për mbikëqyrjen e politikave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një njoftim të Zyrës së Kryeministrit një ditë më parë thuhet se “SHBA-të janë të përkushtuara që të ketë përparim në dialog dhe mbështesin Kosovën dhe synimet e saj drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike”.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se “Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tavolinën e bisedimeve”.

“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, kemi pasur shumë tensione gjatë verës. Situata është më e qetë së fundi. Por ka nevojë që dialogu të rikthehet sepse nuk ka rrugë tjetër për ta stabilizuar situatën”, tha Borrell.

Një javë më parë në Prishtinë dhe Beograd qëndroi i ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajҫak në përpjekje që ta aranzhojë një takim – siҫ u tha rezultativ – Kosovë-Serbi. Sipas tij, “BE-ja shpreson se do të mbahet takimi para fundit të vitit”.

“Nuk është në pyetje takimi, sepse liderët janë takuar dy herë, por siç e dini nuk ka pasur rezultate pozitive. Kësaj here, ambiciet tona janë ndryshe dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe për t’u pajtuar se cili do të jetë rezultati”, tha Lajçak duke shtuar se “palët kanë shprehur vullnet të mirë për procesin e dialogut dhe ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera