Lajme

Kurti përmend Banjskën në Poloni: Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për mbështetjen e NATO-s

Autori: Gazeta inFokus 21:26 | 01 October 2024

Kryeministri Albin Kurti ka përmendur sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit gjatë fjalimit që ka mbajtur në kuadër të sesioneve të Forumit të Varshavës për Siguri (WSF), shkruan Reporteri.net.

Kurti ka thënë Serbia po minon paqen në Ballkanin Perëndimor duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën.

“Vitin e kaluar, aksionet e njëpasnjëshme agresive të Serbisë kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Militantë të armatosur të trajnuar në Serbi, me armatim prej miliona euro, hynë në vendin tonë, duke organizuar një sulm nga Manastiri Ortodoks i Banjskës. Qëllimi i tyre ishte të përsërisnin veprimet e Rusisë të vitit 2014 në Donbas.”, ka thënë Kurti.

-Advertisement-

“Por kërcënimi nuk ka mbaruar. Ndërsa shpresojmë që viktima e fundit të jetë rreshteri Afrim Bunjaku, ne mbetemi vigjilentë. Tani më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për mbështetjen e NATO-s, mbështetjen e Polonisë dhe mbështetjen e të gjithë aleatëve tanë për të mbrojtur dhe promovuar interesat tona të përbashkëta”, ka shtuar Kurti.

Kurti ka thënë se për Kosovën, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë.

“Sot, siguria rajonale në Evropë është siguri kolektive për Evropën. Ajo që ndodh në Ukrainë apo Poloni, në vendet e Partneritetit Lindor dhe në rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, prek jo vetëm kontinentin, por gjithë botën. Për ne në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht për Republikën e Kosovës, integrimi i plotë euroatlantik në NATO dhe Bashkimin Evropian, mbetet qëllimi përfundimtar i sigurisë. Kjo, krahas aftësive të mjaftueshme mbrojtëse dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë me aleatët tanë më të afërt, formon një ombrellë solide sigurie. Ashtu si Rusia, NATO dhe BE kanë një histori zgjerimi. Por ndryshe nga Rusia, zgjerimi i tyre ka ecur në një mënyrë paqësore dhe demokratike.”, ka deklaruar Kurti.

Duke folur për procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor, Kurti ka thënë se Kosova mirëpreët Presidencën e Polonisë në janar të vitit 2025, duke theksuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në fund të vitit 2022.

“Ne duhet të mbështesim fitoren e Ukrainës, të parandalojmë përhapjen e ndikimit dashakeq të Rusisë dhe të ringjallim procesin e integrimit në BE të Ballkanit Perëndimor. Kosova mirëpret presidencën e Polonisë të BE-së në janar 2025. Më 15 dhjetor 2022, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE. Ne jemi të përkushtuar ndaj procesit të reformave dhe bashkëpunimit rajonal, duke ruajtur vlerat evropiane.”

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
TEB sjellë edhe kartelën prestigjioze VISA Infinite
-Advertisement-

Të tjera