Lajme

Kurti përkujton Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre

Autori: Gazeta inFokus 13:02 | 17 January 2022

Në 40 – vjetorin e vrasjes së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, vizitoi kullën e familjes Gërvalla në Dubovik.

Aty u pritën nga znj.Suzana Gërvalla, bashkëshortja e Jusuf Gërvallës dhe znj.Donika Gërvalla, e bija e tij, si dhe familjarë e miq të veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare.

Nga aty, Kryeministri Kurti, Presidentja Osmani dhe Zëvendëskryeministrja Gërvalla, bën homazhe dhe vendosen kurorë me lule, te varrezat e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

-Advertisement-

“Ne erdhëm sot në Dubovik, në 40 vjetorin e vrasjes së trefishtë në Shtutgart, më 17 janar 1982, kur u vranë Kadri Zeka e Jusuf e Bardhosh Gërvalla, që të vizitojmë kullën e lindjes, jetës dhe rritjes së tyre, por edhe varrin ku prehen ata, për të treguar kujtimin e pashlyeshëm dhe nderimin e pafund që kemi për këta heronj, të cilët na e dëshmojnë një luftë edhe para luftës çlirimtare. Meqenëse në vitet e ‘80-ta shqiptarët jo vetëm që persekutoheshin e burgoseshin, por edhe vriteshin nga regjimi i atëhershëm okupator, për shkak se dëshironin liri, republikë, demokraci e përparim”, tha kryeministri.

Si institucione të Republikës, si Qeveri e Kosovës, ne do të bashkëpunojmë me shtetet e tjera, në veçanti me Republikën Federale të Gjermanisë, në mënyrë që të marrim vesh sa më shumë e që të zbardhet e vërteta edhe sa i përket edhe urdhërdhënësve edhe ekzekutorëve, bindjet dhe orientimi dhe qendra e të cilëve natyrisht se dihet, mirëpo emrat e përveçëm të atyre natyrisht se duhet të ndriçohen dhe asisoj të mundësohet drejtësia e ndëshkimi, tha ai.

Kryeministri Kurti theksoi se jemi të vetëdijshëm për kufizimet që kemi, që pas kaq shumë kohësh të arrijmë përnjëherë të zbardhim gjithë ato vrasje, meqenëse janë të shumta, ndërkohë që edhe regjimet, të cilët kanë marrë pjesë në ato vrasje, nuk është se kanë vdekur përfundimisht e në plotni.

Në nderim të tre veprimtarëve të shquar të çështjes kombëtare, Kryeministri i Republikës së Kosovës, sot, në 40 – vjetorin e vrasjes së tyre, organizon Akademi Përkujtimore në Prishtinë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Super Zbritje në Artmotion
-Advertisement-

Të tjera