Lajme

Kurti për zgjedhjet në veri: Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar

Autori: Gazeta inFokus 10:26 | 24 April 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet e djeshme në komunat veriore u zhvilluan të qeta dhe pa incidente, shkruan Gazeta Infokus.

Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka falënderuar KQZ-në e Policinë e Kosovës për organizimin dhe sigurinë e krijuar.

“Zgjedhjet për kryetar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për kuvendet komunale në dy sosh, dje u zhvilluan qetë dhe pa incidente. Falënderoj KQZ-në për organizimin, policinë e Kosovës për sigurinë dhe qytetarët për mbështetjen”, ka shkruar Kurti.

-Advertisement-

I pari i ekzekutivit po ashtu tha se atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët.

“Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri. I falënderoj qytetarët për kurajon dhe qetësinë”, u shpreh Kurti.

Kryeministri uroj kryetarët dhe asamblistët e zgjedhur dje në katër komunat veriore.

“Ata duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë. Për mirëqenien e qytetarëve dhe të drejtat e tyre”, tha Kurti. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera