Lajme

Kurti për shkëmbimin e territoreve me Serbinë: ​S’ka dialog me harta në tavolinë!

Autori: Gazeta inFokus 18:31 | 18 May 2020

Kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti ka folur sot në një konferencë virtuale para studentëve të Universitetit të Harvardit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka thënë se papunësia dhe krimi e korrupsioni janë dy probleme me të cilat u përball kur erdhi në krye të qeverisë së Kosovës.

Kurti ka folur për masat që ka ndërmarrë si qeveri për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Ai ka thënë se programi qeverisës është i organizuar në bazë të dy prioriteteve, drejtësinë dhe krijimin e vendeve të punës.

Si pjesë e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, Kurti ka përmendur shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike për shkak të miliona humbjeve në këto ndërmarrje.

Kurti tha se hapja e vendeve të punës është prioritet i qeverisë që ai drejton, përfshirë edhe tërheqjen e investimeve të huaja. Në këtë drejtim ai ka përmendur se Kosova ka popullsi të re dhe si e tillë ka kushte të mira për tërheqjen e investimeve të huaja, ndonëse e pranoi se në këtë drejtim ka shumë punë për të bërë.

Kurti ka thënë se dëshiron normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe se dialogu duhet të vazhdojë. Në këtë drejtim ai ka përmendur ekipet që ka formuar për që të qenë pjesë e këtij procesi.

“S’ka dialog me harta në tavolinë, s’ka president rreth hartave. Rezultati final i bisedimeve duhet të jetë njohja reciproke”, ka thënë kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Të tjera