Lajme

Kurti: Orientimi e vlerat tona janë forcuar kah BE-ja, NATO-ja e luftimi i korrupsionit

Autori: Gazeta inFokus 23:37 | 23 May 2024

Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar për një bashkëbisedim të organizuar nga instituti ODI (Overseas Development Institute), me moderimin e drejtores ekzekutive të këtij instituti, Sara Pantuliano.

ZKM informon se kryeministri Kurti fillimisht përshkroi rrugëtimin e vendit tonë drejt pavarësisë, zhvillimit të vendit dhe demokratizimit, në prag të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës në qershorin e vitit 1999. Në këtë drejtim, ai kujtoi rolin e diasporës në ndërtimin e Kosovës si dhe vlerësoi kontributin e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve tanë.

Më tej, i pyetur nga znj. Pantuliano më konkretisht mbi avancimin dhe zhvillimin e vendit, Kryeministri theksoi se “ekonomia po rritet, gjithçka është rindërtuar si dhe orientimi e vlerat tona janë forcuar kah BE-ja dhe NATO-ja, demokracia, sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik e luftimi i korrupsionit. Ai tha se progresi demokratik dhe zhvillimi ekonomik duhet të ecin paralelisht krah për krah me njëra tjetrën, teksa në rastin tonë suksesin në këtë arritje e dëshmojnë dhe indekset e matjet ndërkombëtare”, njofton ZKM.

-Advertisement-

“Kryeministri reflektoi mbi progresin ekonomik në tri vitet e fundit, ku Kosova ka shënuar dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, shtimit të ekonomisë së vendit çdo vit me nga një miliard, rritje të të hyrave buxhetore pa ndërruar politikat fiskale, mesatare të rritjes ekonomike prej 6.2%, si dhe rritje të punësimit me 20% ndër të tjera. Ai theksoi se rëndësi të veçantë ka patur që kjo rritje të shpërndahet për shoqërinë e qytetarët, andaj dhe janë ndërmarrë iniciativa e politika, si arsimi i lartë falas, shtesat për fëmijë e nënat lehona, si dhe po zhvillohet sistemi dual i edukimit me qëllim ndërlidhjen e shkollimit me tregun e punës, e ku përfituesit më të mëdhenj janë të rinjtë dhe gratë.

Përmendi edhe vëmendjen ndaj sektorit të agrikulturës përmes dhe subvencioneve për fermerët dhe investimet në fushën e shëndetësisë, sektorin e energjisë në rrugëtimin drejt tranzicionit në energjinë e gjelbër, por edhe ato në fushën e mbrojtjes, patur parasysh sjelljet agresore të fqinjit tonë verior.

Theksoi gjithashtu dhe mbështetjen për bizneset, industritë e ndërmarrjet, duke veçuar avancimet në sektorin e teknologjisë dhe potencialin për zgjerim dhe ngritje të këtij sektori.

Teksa rikujtoi dhe nënshkrimin e marrëveshjes 400 milionë euroshe me BERZH në Samitin e mbajtur në Londër në shkurtin e këtij viti, kryeministri tha se përkrahja financiare e aleatëve tanë do na mbështesë tutje në kanalizimin e përpjekjeve tona në rrugëtimet integruese, e ku veçoi dhe Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri Kurti e falënderoi institutin ODI për mikpritjen dhe mundësinë që të adresojë audiencën si dhe falënderoi pjesëmarrësit për pyetjet dhe interesin e shfaqur në njohjen prej së afërmi të shumë çështjeve, të cilat ndërlidhen me aktualitetin në vend si dhe situatën në rajon dhe Evropë”, përfundon komunikata e ZKM-së.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
A prishet cilësia e gjumit nëse pini kafe në mbrëmje?
-Advertisement-

Të tjera