Lajme

Kurti-opozitës: Fjalët që m’i thoni mua, thuajani me të njëjtin zell edhe Escobarit

Autori: Gazeta inFokus 13:42 | 09 February 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga opozita, që me aq zell sa i thonë atij që mos ta pranojë marrëveshjen me Serbinë pa njohje reciproke, t’ia thonë këto fjalë edhe përfaqësuesit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti në seancën e sotme të Kuvendit, iu drejtua dy liderëve opozitarë, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut, që kur të kenë takim me përfaqësuesin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të paramendojnë atë dhe të thonë se duhet të ketë marrëveshje finale, njohje reciproke dhe asgjë më pak.

“Ju inkurajoj, që ashtu qysh jeni të vendosur se Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje pa njohjen reciproke në qendër dhe që nuk është marrëveshje finale,  qysh m’i thoni mua – aman ja thoni kështu me të njëjtin zell edhe Escobarit, dhe jo vetëm mua. Kur e takoni Escobarin, paramendojeni se e keni përpara Albin Kurtin dhe ja thoni këto fjalë. Shërbim më të madh Republikës së Kosovës nuk mundeni me i bë edhe me dashtë. Kur e keni Escobarin përpara paramendoni Albin Kurtin përpara dhe thoni Kosova Republikë, marrëveshje finale, njohje reciproke në qendër, asgjë më pak”, ka thënë Kurti.

-Advertisement-

Por atij i reagoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili i kërkoi Kurtit të marrë transkriptet nga takimet e tij me përfaqësuesit e SHBA-së.

“Për dallim prej teje që në Twiter bëhesh pulë dhe në Facebook bëhesh skifter, lypi trasnkriptet në State Department dhe shiko a i kam thënë Esobarit pak më rëndë se ty. Ti je mësu me folë këtu, tjetër sen atje”, tha ai.

Në debat u përfshi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se qëndrimet e LDK-së për dialogun janë publike dhe s’kanë nevojë të jenë ndryshe para askujt.

“Kryesia e LDK-së, kanë mbajtur mbledhje dhe kanë qëndrim të qartë dhe publik. Marrëveshja duhet të jetë finale, ligjërisht obliguese dhe duhet të ketë njohje në të. Ky është qëndrimi i LDK-së, mos shpif dhe mos sjell debatin ën çështje personale. S’kemi nevojë që as para Chollet dhe as para Escobarit të japim ndryshe. Janë qëndrime publike dhe nuk i fshehim. Janë qëndrime publike nuk i fshehim, është  gabim edhe qëndrimi yt, por edhe zotëri Haradinaj që të flitet për një marrëveshje bazë”, shtoi Abdixhiku.

Atyre sërish iu replikoi Kurti, i cili tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zajednicë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe është zajedincë e Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës. Por, duke iu falënderuar qeverisë me mua kryeministër, nuk po zbatohet. Sa për juve moti ish kryer ajo…Kur po jep deklarime Escobar, po thotë se për një njeri nuk ndalet Asociacioni, ai është momenti kur ju duhet me  thënë se kryeministri nuk është vetëm. Por ju nuk dilni, heshtni”, tha ai./KP

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Diplomon gjenerata e dytë e studentëve UNIK të UNI-të me diploma të fuqizuara nga Arizona State University
-Advertisement-

Të tjera