Lajme

Kurti: Nuk është e vërtetë që Serbia e ka pranuar planin franko-gjerman

Autori: Gazeta inFokus 17:10 | 27 January 2023

Kryeministri Albin Kurti thotë se nuk është e vërtetë që Serbia e ka pranuar propozimin evropian, të njohur si plani franko-gjerman, ndonëse së fundmi në Serbi është deklaruar se i kanë thënë po këtij plani. Kurti thotë se edhe pala tjetër ka vërejtjet e veta.

Kurti edhe më tutje e konsideron propozimin evropian si “bazë e mirë” për normalizimin e raporteve me Serbinë, por ka vërejtje rreth tij, të cilat thotë ua ka dërguar ndërmjetësve.

“Unë kam thënë në takime dhe gjithashtu i kam dhënë të shkruara komentet e mia, andaj nuk është e përshtatshme që konfidencialitetin e bisedimeve ta lëndojmë. Por, e di që nuk është e vërtetë që pala tjetër e ka pranuar këtë propozim. Edhe ajo i ka dhënë vërejtjet e veta”, ka thënë Kryeministri në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, transmeton Gazeta Express.

-Advertisement-

Kurti, i pyetur se cka konkretisht kundërshton Serbia nga plani franko-gjerman, ka thënë:

“Unë, sërish, nuk mund t’i them këto në emër të palës tjetër, por e di që ata i kanë dërguar komentet dhe vërejtjet e tyre dhe nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht propozimin. Ndërkohë, mos të harrojmë që me datën 27 tetor në fakt, zyrtarisht, me votim në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë, në Beograd është hedhur poshtë propozimi në mënyrë unanime”.

Duke kujtuar refuzimin e mëparshëm, Kryeministri thotë se zyrtarët serbë, së fundmi ishin “pozitivë” ndaj propozimit evropian, por, sipas tij, ata kanë vërejtje “abnormalizuese”.

“Pra, të gjithë që kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë në Beograd, ku ka qenë edhe presidenti i Serbisë, edhe kryeministrja, edhe ministri i Jashtëm, edhe shumë institucione shtetërore, në mënyrë unanime, pra njëzëri, e kanë hedhur poshtë propozimin e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, tash kanë qenë më pozitivë – më 20 janar – mirëpo nuk është e vërtetë që e kanë pranuar plotësisht, meqenëse i kanë dhënë vërejtjet e tyre, të cilat janë – për bindjen time të fuqishme – vërejtje abnormalizuese”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera