Lajme

Kurti njofton rivitalizimin e tri linjave hekurudhore

Autori: Gazeta inFokus 17:10 | 22 April 2022

Kryeministri Albin Kurti, në Ditën e Tokës, ka thënë se qytetet ‘e hirta’ duhet të bëhen të gjelbra dhe me ajër që nuk i helmon qytetarët.

“Fshatrat tona të gjelbra vazhdojnë të boshatisen e të harrohen, prandaj duhet t’ua rikthejmë gjallërinë. Lagjeve duhet t’ua nxjerrim në pah estetikën dhe të mundësojmë lëvizjen e qarkullimin për shumë rekreacion e sport e për qytetarë të shëndetshëm”.

“Sot po shënojmë Ditën e Tokës, këtë ditë globale që është edhe thirrje për të vepruar çdo ditë për të ardhme të gjelbër dhe të qëndrueshme. Në ndërtimin e së ardhmes dhe gjetjen e zgjidhjeve për të luftuar ndryshimet klimatike të gjithë e kemi një rol të veçantë. Niveli i qeverisjes qendrore dhe lokale, qytetarët, ndërmarrjet dhe organizatat joqeveritare, si dhe mediat – duhet të gjithë të koordinohemi së bashku. Jemi bashkë në zbatimin e agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe në përmbushjen e objektivave për zhvillim të qëndrueshëm të vendosura për vitin 2030, si dhe zotimet e dakorduara në konferencën e 26-të të OKB-së mbi ndryshimet klimatike e mbajtur në Glasgow ku nikoqire ishte Mbretëria e Bashkuar”.

-Advertisement-

Shefi i qeverisë ka thënë se duhet të ulet gradualisht degradimi i natyrës dhe nivelet e emetimeve, të ketë shfrytëzim racional të burimeve natyrore, si dhe të bëhet planifikim strategjik në harmoni me natyrën për të tashmen dhe të ardhmen.

Kurti deklaroi se në mesin e risive që janë planifikuar në kuadër të planifikimit buxhetor për vitin 2022 parashihet edhe revitalizimi i tre linjave të dikurshme hekurudhore.

“Kemi për synim revitalizimin e linjave hekurudhore Prishtinë-Fushë Kosovë, Fushë Kosovë –Pejë dhe Klinë-Prizren, reduktimin e qeseve dhe shisheve të plastikës, menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme, si dhe ndërtimin e qendrave të reciklimit në qytete të mëdha. Në qeverinë time kemi ndërmarrë veprime edhe për të zhvilluar një model ekonomik qarkor që të zvogëlojmë emetimet e gazrave, të ruajmë biodiversitetin dhe të ndërtojmë sistem ushqimor të qëndrueshëm duke u marrë me problemet strukturore të rrënjosura thellë”.

“Përmes kësaj iniciative synojmë të mbledhim së bashku qeveritë lokale të cilat kanë qëllim të transformojnë komunat e tyre. Qeveria do të mbështesë komunat në politikat për klimën, energjinë dhe infrastrukturën e qëndrueshme, zhvillimin lokal përmes konceptit të ekonomisë qarkore, lëvizshmërinë dhe rritjen e kapaciteteve të transportit publik me shkallë të ulët të emetimit, mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit, zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të ushqimit dhe transformimin digjital”.

Albin Kurti këto komente i ka bërë në ceremoninë “Karta për Komunën e gjelbër dhe të qëndrueshme” të organizuar nga Zyra e Kryeministrit në Ditën Ndërkombëtare të Tokës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera