Lajme

Kurti në Konferencën e Sigurisë në Mynih diskuton për drejtësi tranzicionale

Autori: Gazeta inFokus 16:00 | 20 February 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ftuar në panelin e diskutimit në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë, diskutoi për sfidat dhe perspektivat e drejtësisë tranzicionale.

“Na duhet drejtësia tranzicionale që të mund të shërohet shoqëria, dhe që të kemi mundësi për të ecur së bashku përpara, drejt së ardhmes. Në të njëjtën kohë duhet të ketë rehabilitim dhe rivendosje të drejtësisë për viktimat, pasi është shumë e vështirë për familjet të vazhdojnë të jetojnë normalisht përkundër humbjeve dhe vuajtjeve të tyre, shtoi ai.

Në rastin e Kosovës, drejtësinë tranzicionale e kemi prioritet, theksoi kryeministri Kurti, duke përmendur disa nga nismat e Qeverisë së Republikës së Kosovës, si ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, themelimin e Komisionit për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

-Advertisement-

Kryeministri Kurti foli për çështjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës dhe familjet që jetojnë në dhembje e ankth, duke mos ditur për fatin e vendndodhjen e të dashurve të tyre. Ai ritheksoi domosdoshmërinë e hapjes së arkivave shtetërore në Serbi, pasi krimet e kryera në Kosovë, ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë.

Duke përmendur Masakrën e Reçakut, kryeministri theksoi se e kaluara nuk ka kaluar ende, përderisa krimet e luftës dhe gjenocidi vazhdojnë të mohohen.

Kurti diskutoi në panelin e titulluar “Humbur në tranzicion: Sfidat dhe perspektivat e llogaridhënies dhe drejtësisë tranzicionale” (Lost in Transition: Challenges and Prospects of Accountability and Transitional Justice), që kishte për moderator David Miliband, President dhe Kryeshef Ekzekutiv i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.

Krahas kryeministrit Kurti, të ftuarve në panel ishin edhe Niels Annen, Sekretari Parlamentar i Shtetit, Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Republika Federale e Gjermanisë, Alice Ëairimu Nderitu, Këshilltare Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Gjenocidit, Louise Mushikiëabo, Sekretare e Përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Artmotion vjen me Super Zbritje – Mos e humb!
-Advertisement-

Të tjera