Lajme

Kurti në “Karvanin e Diasporës”: Çdo shqiptar në diasporë është ambasador i yni

Autori: Gazeta inFokus 22:55 | 01 August 2022

Kryeministri Kosovës Albin Kurti ka marrë pjesë në aktivitetin “Karvani i Diasporës” që sot u ndal në Komunën e Podujevës.

Ai ka falënderuar bashkatdhetarët e shumtë që asnjëherë nuk po e harrojnë Kosovën, nuk po e harrojnë Podujevën, dhe po vinë këtu të çmallen me familjen e tyre, por edhe me miq e dashamirë që i kanë në vendlindje.

“Republika e Kosovës i ka 1.85 milionë banorë, po i ka rreth 2.5 milionë qytetarë. Pra mund të thuhet që gati çdo i treti që është qytetar nuk është edhe banor. Ne e kemi diasporën, mërgatën shumë të madhe dhe ajo ka pasur një rol të madh historik në politikë, ekonomi dhe kulturë”, tha Kurti.

-Advertisement-

Më tej, ai tha se duke iu falënderuar mërgatës sonë, ne e kemi financuar luftën çlirimtare dhe e kemi sot lirinë, por gjithashtu duke iu falënderuar mërgatës sonë ne e kemi edhe paqen sociale për shkak të dërgesave, remitancave që i dërgon ajo.

Kryeministri Kurti tha se kanë nisur dialogun me diasporën dhe gjithashtu fushatën “Shijojeni Kosovën”.

“Jemi të interesuar që fëmijët e bashkatdhetarëve tanë sa më shumë të mirëpriten në Kosovë dhe pushimin që e bëjnë këtu ta shfrytëzojnë për të mësuar shqipen më mirë dhe për t’u njoftuar më shumë me kulturën e prindërve të tyre, me kulturën e paraardhësve të tyre. Ne kemi programin “Diplomacia qytetare”, pasi konsiderojmë që bashkatdhetari ynë është diplomati më i madh i Kosovës, çdo shqiptar që është në diasporë është ambasador i yni”, tha Kurti.

Ndryshe, “Karvani i diasporës” ka nisur ditë më parë me rastin e ardhjes së bashkatdhetarëve në vendlindjet e tyre. Aktiviteti organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera