Lajme

“Kurti mund të vritet” – Haxhi Hoti në gjykatë: Nuk e kam ditur se është vepër penale kur e kam shkruar këtë

Autori: Gazeta inFokus 20:53 | 07 October 2021

Ish-kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hoti ka thënë se nuk e kishte ditur se shkrimi që kishte publikuar në “Facebook” e ku shkruante se Albin Kurti ose të lëshojë rrugë ose do të vritet, paraqet vepër penale.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë dhënies së mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë së pari që e kam shkruar këtë nuk e kam konsideruar se është vepër penale, edhe e kam bërë një krahasim me presidentin e Amerikës John Kennedy, për mua është më shumë si film dokumentar e jo vepër penale”, ka thënë i akuzuari Hoti, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Rasim Hoti.

-Advertisement-

Në pyetjen e prokurores Javorka Prlinçeviç, se përse Albin Kurtin e kishte krahasuar me Kennedyn, i akuzuari ka thënë se nuk kishte pasur ndonjë qëllim por vetëm e kishte krahasuar.

“Përveç krahasimit kurrgjë tjetër”, është përgjigjur i akuzuari, duke shtuar se postimin e kishte bërë spontanisht.

“Unë kam bërë edhe shkrime tjera, kjo ka qenë spontane, po ashtu edhe reagimi i popullit ka qenë spontan”, ka deklaruar Hoti.

Ai tha se nuk e kishte ditur se do të bëhej reagim aq i madh për këtë postim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë edhe më herët thash se nuk e kam konsideruar vepër penale dhe as nuk e kam ditë, dhe për atë nuk e kam ditë që bëhet reagim aq i madh nga populli”, deklaroi i njëjti.

Tutje, Hoti tha se postimin e kishte fshirë pas presionit nga ana e popullit dhe pasi e kishte parë se kishte bërë gabim.

“E kam parë si presion nga populli ndaj meje dhe e kam parë se është gabim, reagimi ke shumë i madh prandaj e pashë të arsyeshme me fshi postimin. Në demokraci janë institucionet si gjykatat të cilat e japin verdiktin e jo populli”, ka thënë i akuzuari, duke shtuar se nuk e kishte pritur këtë presion nga ana e popullit.

Ai ka thënë se presioni i popullit ka qenë i madh dhe se ndaj tij ka pasur kërcënime, prandaj sipas tij, pas 10-15 minutash edhe e kishte fshirë postimin.

I pyetur se a kishte qenë në dijeni çfarë fati kishte pasur John Kennedy dhe se si kishte përfunduar misioni i tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), i akuzuari ka thënë se nuk ka aq shumë njohuri.

Hoti përsëri deklaroi se krahasimi ka qenë spontan dhe se nuk do të thotë se di diçka për Kennedyn.

Pas përfundimit të dhënies së mbrojtjes nga ana e të akuzuarit Hoti, në këtë seancë palët kanë dhënë edhe fjalën përfundimtare.

Prokurorja Prlinçeviç në fjalën përfundimtare ka thënë se pas dëgjimit të të dëmtuarit Albin Kurti, pas administrimit të provave dhe dhënies së mbrojtjes së të akuzuarit Hoti, është vërtetuar se ky i fundit qëllimisht dhe me vetëdije e kishte publikuar postimin.

“Nëse me kujdes i krahasojmë dy postimet në “Facebook” të akuzuarit Hoti, e vërejmë se ai me vetëdije dhe duke qenë i vetëdijshëm për veprimin e tij, ka dashur kryerjen e veprës penale sepse në postimin e parë të tij thotë “Albin Kurti i ka dy opsione ose ta lëshojë Kosovën ose të jetë i vrarë. Fjala “i vrarë”, është fjalë me të cilën ai ka dashur që ta lidhë Kennedy-n me të dëmtuarin Albin Kurti duke e cekur se Kennedy ka qenë në interes të popullit të Amerikës që të jetë kryetar, në ndërkohë nuk ka qenë interes i shtetit të Amerikës që të bëhet kryetar dhe Albin Kurti është ndoshta interes i popullsisë së Kosovës por nuk është interes i shtetit të Kosovës që të jetë kryeministër. Ai postimin e ka bërë duke dëshiruar që ta bjerë në atë mënyrë të dëmtuarin Albin Kurti në pozitën në të cilën ka qenë Kennedy”, ka thënë prokurorja.

Sipas saj, i akuzuari Hoti ka qenë i vetëdijshëm se çka mund të prodhojnë veprimet e tij, prandaj e njëjta ka propozuar që i njëjti të shpallet fajtor, pasi sipas saj ishte cenuar një përfaqësues i madh politik i cili në mënyrë demokratike e kishte marrë mbështetjen e popullit.

Ndërsa, mbrojtësi i tij, avokati Rasim Hoti ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, pasi sipas tij i akuzuari nuk e kishte ditur se do të kenë reagime apo shqetësime në popull, apo shqetësime të mëdha në opinion dhe masë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kam dilemë të madhe se në kodin penal a parashihet si vepër penale shqetësimi i madh që është bërë ndaj përdoruesve të rrjetit social apo opinionit dhe në tërësi masës, ashtu siç pretendon prokuroria. Si mbrojtje më ka interesuar kjo fjali dhe pyetje nga ana e prokurorisë, e që unë si mbrojtje qysh në procedurën paraprake-hetimore e kam sqaruar mirë se çka parasheh vepra penale shtytje në kryerje të veprës penale 172, lidhur me 32 par 3 të KPRK-së”, ka thënë avokati.

Ai ka thënë se vet i dëmtuari Kurti ka deklaruar se fare nuk është ndjerë i rrezikuar dhe se ky postim fare nuk ka paraqitur rrezik dhe se nuk i bashkëngjitët ndjekjes penale, e as që do të ushtrojë kërkesë pasurore-juridike.

“Prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë për ta bindur gjykatën se postimi i të mbrojturit tim paraqet vepër penale dhe nuk pat asnjë provë tjetër që do të kishte për të bindur gjykatën që i mbrojturi im ka kryer veprën penale, atëherë propozoj që në kuptim të nenit 364, të KPPRK-së të bie aktgjykim lirues”, ka thënë avokati.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Allten Murseli ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 11 tetor 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti kishte dhënë dëshminë e tij për këtë rast më 15 shtator.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 23 janar 2020 ka ngritur aktakuzë ndaj Haxhi Hoti, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “shtytje në kryerje të veprës penale Vrasja”, nga neni 172 lidhur me nenin 32, paragrafi 3 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2019 i akuzuari Hoti në rrjetin social “Facebook” ka bërë thirrje publike dhe shtytje në vrasje të kryetarit të partisë “Lëvizja Vetëvendosje”, Albin Kurtit, duke cekur në postimin e tij “Albin Kurti ka dy rrugë ose ta lëshoj Kosovës ose mund të vritet”.

Siç thuhet në aktin akuzues, i akuzuari Hoti ka krahasuar të dëmtuarin me të ndjerin Xhon F. Kenedi, “Xhon F. Kenedi ishte interes i popullit amerikan që të jetë president, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë president” si dhe “Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës, ndoshta, por nuk është interes i shtetit të Kosovës që të jetë Kryeministër”.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Hoti me këto veprime u ka shkaktuar shqetësim të madh përdoruesve të rrjetit social “Facebook” në Kosovë dhe gjithandej botës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera