Lajme

Kurti: Mirënjohës për mbështetjen e Bullgarisë në momente vendimtare për vendin dhe popullin tonë

Autori: Gazeta inFokus 18:15 | 22 December 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti ditën e sotme Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, i cili po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Republikën e Kosovës.

“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e Bullgarisë në momente vendimtare për vendin dhe popullin tonë, duke përfshirë edhe vitin 1999 kur ju hapët qiellin për fushatën e bombardimeve të NATO-s, i cili ndaloi gjenocidin e Serbisë dhe e mbyllët atë për qëllimin keqdashës të Rusisë dhe veprimin e rrezikshëm, jo vetëm për Kosovën. Falënderoj Bullgarinë për mbështetjen e vazhdueshme për anëtarësimin tonë në organizatat ndërkombëtare, integrimin në BE, Këshillin e Evropës dhe në bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë Procesin e Berlinit. Kënaqësi e madhe t’iu kemi këtu, mirëserdhët”, tha kryeministri në fillim të takimit.

Nga ana e tij, Presidenti Radev tha se: “Ne kemi ardhur këtu me një mision të qartë: për të thelluar miqësinë dhe marrëdhëniet tona në të gjitha fushat e mundshme me interes të përbashkët, dhe për t’iu inkurajuar dhe mbështetur në përpjekjet tuaja për zhvillimin e Kosovës, si një shtet modern, demokratik, të pavarur e të integruar plotësisht në sistemin e komunitetit ndërkombëtar”.

-Advertisement-

Kryeministri shtoi se dy vendet tona dhe dy popujt tanë, kanë një histori të përbashkët në Ballkan dhe një të ardhme të përbashkët në Bashkimin Evropian ku vendi ynë ka aplikuar dhe aspiron të jetë anëtar. Ai theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit, sidomos në fushën e ekonomisë ku mund dhe duhet të bëjmë më shumë, e po ashtu dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përmes trajnimeve të përbashkëta. U përmend dhe fusha e ICT-së, ku kemi potencial të madh, të rinj të talentuar dhe të shkathët e ku edhe jemi eksportues të shërbimeve të rëndësishme.

Presidenti Radev ritheksoi që Bullgaria është një vend mik i Republikës së Kosovës dhe se është i interesuar që të rritet dhe thellohet bashkëpunimi dypalësh duke veçuar sektorët e energjisë, edukimit dhe turizmit.

Në takim u vlerësua hapja e Odës Ekonomike Kosovë-Bullgari këtë qershor si dhe planifikimi i mbajtjes së Forumit të përbashkët Ekonomik vitin e ardhshëm, si një mundësi e mirë për të rritur raportet ekonomike.

Kryeministri Kurti e falënderoi Presidentin Radev për vizitën e tij, bisedën e frytshme, mbështetjen e vazhdueshme dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera