Lajme

Kurti: Me Gjermaninë kemi lidhje të forta

Autori: Gazeta inFokus 22:50 | 29 September 2022

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur miqësinë mes Kosovës dhe Gjermanisë si të veçantë, e kultivuar sipas tij, nga mërgimtarët që jetojnë atje Në Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, në pritjen e organizuar nga ambasadori gjerman Jorn Rohde, Kurti tha se me Gjermaninë ndajmë konceptimin e njëjtë të të drejtave themelore të njeriut dhe të vlerave liberale dhe sociale.

Shefi i ekzekutivit tha se 29 shtatori duhet të kujtohet dhe festohet me gëzim pasi Gjermania kaloi një kryengritje paqësore dhe se qytetarët e Republikës Demokratike Gjermane nuk do t’u frikësoheshin më të shtënave vdekjeprurëse te kufiri apo që po spiunoheshin nga shteti i vet.

“Kjo kryengritje paqësore ka ardhur jo vetëm se ishte vullnet i popullit, por edhe se NATO dhe komuniteti evropian qëndronin të vendosur, se udhëheqës të mençur dhe largpamës, nga Gorbachev te Reagan, nga Miterrand te Kohl, mundën të lexonin shenjat e kohës së vet. Nga këto përvoja, mësojmë dhe zhvillohemi”, tha Kurti.

-Advertisement-

Ai u shpreh se kosovarët janë të gëzuar që e njohin një Gjermani të bashkuar demokratike, me popullin e mirë dhe qeverinë e besuar në krah të vet.

“Të gjithë ne e dimë se miqësia jonë është e veçantë. Nuk është e bazuar vetëm në interesa strategjike, politike apo ekonomike. Është shumë më shumë se kaq: Ne ndajmë konceptimin e njëjtë të të drejtave themelore të njeriut dhe të vlerave liberale dhe sociale. Kemi këtë lidhje që është e fortë, këtë lidhje që, në masë të madhe, bartet nga mërgimtarët tanë që banojnë në Gjermani, të cilët janë po ashtu të angazhuar thellësisht në Kosovë, me zemrat dhe mendjet dhe kursimet e veta. Nëse e kam zili Gjermaninë për diçka, përveç që na kanë sjellë dijetarët dhe kompozitorët më të famshëm, është se ajo është vendbanimi i gjithë këtyre njerëzve punëtorë. Na keni borxh të madh”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se Kosova i është mirënjohës Gjermanisë që iu dha strehë refugjatëve kosovarë gjatë dekadës së fundit të shekullit 20, pastaj që qëndroi e vendosur me NATO-n dhe me popullin tonë për të ndalur gjenocid, mirënjohës për më shumë se 1 miliardë euro në ndihmë zhvillimore dhe për mbështetje të vazhdueshme politike në rrafshin ndërkombëtar.

“Pikërisht ata që nuk dëshironin që të binte muri në Berlin, tashmë po bëjnë një luftë kriminale kundër Ukrainës. Ata humbën atëherë dhe, tri dekada më vonë, do të humbasin përsëri”, përfundoi Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Thyhet REKORDI I ZBRITJEVE!

Të tjera