Lajme

Kurti: Janë afër 200 prokurorë e 400 gjykatës në Kosovë, jam kryeministër që s’ua kam numrin e telefonit

Autori: Gazeta inFokus 12:04 | 04 August 2022

Kryeministri, Albin Kurti, ka përsëritur në kuvend se nuk e ka numrin e asnjërit prej gjykatësve e as të prokurorëve në Kosovë.

Këtë deklaratë, Kurti e bëri pasi deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e akuzoi qeverinë për keqpërdorim të 12 milionë eurove në shëndetësi.

Shefi i qeverisë tha se për çfarëdo pretendimi për korrupsion e krim kudo në institucione, s’do ta ketë mburojën apo mbështetjen e tij.

“Ju porsa e shpjeguat pse disa gjëra nuk janë kryer në të kaluarën, sepse ju e keni pasur logjikën e shtetit-parti, e të partisë-shtet. Unë subjektin tim s’e kam përmendur asnjëherë. Unë nuk thash që këtë e kanë bërë anëtarët e subjektit tim ku jam kryetar. E kanë bërë zyrtarët e shtetit, zyrtarët e doganave, zyrtarët e policisë dhe të tjerë. Shteti i cili është i përbashkët i ka arrit këto suksese. Por nëse ne kemi merita është që ne e kemi çliruar shtetin për t’i bërë këto veprime, sepse përpara ka dirigjuar partia, partia ka thënë bën, partia ka thënë s’bën dhe partia ka thënë a e kemi njeriun tonë atje, jo sa cilësor është për nga profesionalizmi e sa i ndershëm është për nga integriteti. Ky është dallimi i madh”.

“Unë asnjëherë nuk them që këtë e ka bërë një subjekt i caktuar politik, as ai që e drejtoj unë dhe në anën tjetër, janë afër 200 prokurorë në Kosovë, janë afër 400 gjykatës, unë jam kryeministër i Kosovës që nuk e kam numrin e telefonit të asnjërit prej tyre, edhe çfarë pretendimi për korrupsion për krim kudo në institucione, një gjë ua garantoj, kurrë s’do ta ketë mburojën apo mbështetjen e kryeministrit sa të jem unë ai”.

Kryeministri tutje tha se nuk është i kënaqur me sistemin e drejtësisë në Kosovë.

“Të gjitha pretendimet që bëhen jam i interesuar që të hetohen. A jam unë i kënaqur me sistemin e drejtësisë, sigurisht që jo, mendoj që gjyqësori nuk është mjaftueshëm efikas. Prandaj edhe po e duam vettingun, që të bëhet prokuroria aktive dhe gjyqësori efikas. Mirëpo unë ju them një gjë, që nuk e mbroj askënd dhe nuk e kam numrin e asnjërit”, tha Kurti.

Të tjera