Lajme

Kurti, Ismaili, Vitia e Zemaj do të intervistohen rreth menaxhimit të pandemisë

Autori: Gazeta inFokus 14:56 | 25 June 2020

Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë do të intervistojë ish-kryeministrin, Albin Kurti, ish-ministren e Arsimit tani aktualisht ministre e Financave, Hykmete Bajrami, ish-ministrat e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe Uran Ismaili dhe ministrin aktual të Shëndetësisë, Armend Zemaj, ish-ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Listës së intervistimit i janë shtruar edhe sekretarët e të gjitha ministrive që kanë qenë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e qeverisë ka miratuar në parim planin e punës së komisionit, derisa për në seancë të Kuvendit të Kosovës është proceduar edhe buxheti për këtë komision, shifra e të cilit është mbi 17 mijë euro.

-Advertisement-

Kryesuesja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila tha se me pëlqim të të gjithë anëtarëve të komisionit do të ftohet për intervistim ish-kryeministri, Albin Kurti dhe ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

“Në listë janë shtuar edhe ish-kryeministri, Albin Kurti, po ashtu ministrja Hykmete Bajrami në cilësinë e saj paraprake por më tepër në atë të ministres së Financave tash. Si dhe disa prej zyrtarëve që kanë qenë në rrethana të caktuara në pozita udhëheqëse dhe ende janë. Rol kryesor dhe të rëndësishëm kanë sekretarët e ministrive, ai i ministrisë së Shëndetësisë, ai i punëve të Brendshme dhe Administratës, i ministrisë së Financave dhe Transfereve. Gjithashtu kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri si rrjedhojë e angazhimit apo involvimit të tij në kthimin e të riut, Agon Musliu”, tha Kusari-Lila.

Anëtarja e këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku krahas shumë emrave të propozuar kërkoi që listës së intervistimit t’i shtohet ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli dhe ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami e cila tash mban postin e ministres së Financave.

“Meqenëse zotëri Naim Bardiqi, që është sekretar permanent, propozoj të ftohet edhe ish-ministri Uran Ismaili pikërisht për shkak të asaj kontinuitetit pse ka ndodhur në kontratat urgjente, si është gjetur, a ka pasur doreza dhe maska, në çfarë gjendje ka qenë shëndetësia. Instituti Kombëtar sa ka qenë i furnizuar ku jam dëshmitare që mbi 13 vjet me pajisje rroba nuk është pajisur Instituti Kombëtar i Pejës. Kemi qenë të detyruar në ditën e parë kur është zbuluar rasti i parë në Klinë të shkojmë me rroba që janë furnizuar 13 vite më herët”, tha ajo.

Këtë propozim e kundërshtoi deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha. Ajo tha se ky komision nuk e ka qëllim hetimin e sektorit të shëndetësisë më herët, por vetëm menaxhimin e pandemisë.

“Po e zgjerojmë maksimalisht fushëveprimin e këtij Komisioni dhe ne si propozues e kemi dorëzuar”, tha ajo.

Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila tha se ish ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili do ftohet për intervistim në këtë komision për të treguar se në çfarë gjendje e ka lënë këtë dikaster pas dorëzimit të detyrës.

Ajo tha se prej institucioneve të propozuara për intervistë nga lista u largua Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial.

“Është dakorduar në parim që përveç ministrit gjatë mandatit të të cilit ndodhi, Arben Vitia të ftohet edhe ministri paraprak, Uran Ismaili në raport me gjendjen, situatën e lënë kur e ka dorëzuar detyrën. Si dhe zotëri Zemaj që aktualisht vazhdon drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë në rrethana ku ende pandemia nuk ka kaluar. Lista është pastruar nga disa persona që mund të jenë relevante por kemi konsideruar që shkon përtej mandatit të komisionit për shembull Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Prokuroria e Shtetit, pastaj kemi hezituar që të marrim përgjegjësi të thërrasim prindërit e të riut që humbi jetën është proces që është subjekt i hetimit dhe do marrim informacionet nga institucionet që e kanë përcjell rrugëtimin e tij nga Gjermania deri në qendrën karantinë”, tha ajo.

Komisioni Hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë ka për qëllim të hetojë të gjitha çështjet e ngritura si shqetësim nga Komisioni parlamentar për Shëndetësi, e që kanë të bëjnë me menaxhimin e situatës në karantinën tek qendra e studentëve, si dhe tenderët e dyshimtë të realizuar nga Ministria e Shëndetësisë në kohën e udhëheqjes së Arben Vitisë së VV-së. Ky komision është propozuar nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Meridian Express hap marketin e ri në qytetin e Mitrovicës Veriore!
-Advertisement-

Të tjera