Lajme

Kurti inkurajon mediat që ta nxjerrin në pah korrupsionin

Autori: Gazeta inFokus 21:34 | 01 October 2021

“Demokracia ka nevojë për qytetarë aktivë dhe të mirë informuar që marrin pjesë dhe angazhohen”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës në takimin virtual të bordit të Aleancës Progresive (Progressive Alliance), shkruan Gazeta Infokus.

Ai theksoi domosdoshmërinë për arsimim të mirë dhe media të lira që kërkojnë të vërtetën, nxjerrin në pah korrupsionin dhe skandalet dhe mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e zgjedhur.

Kurti vuri theksin te dy çështjet më urgjente për qytetarët, të cilave u përgjigjet Programi Qeverisës: puna dhe drejtësia.

-Advertisement-

“Qytetarët duan një shtet demokratik që respekton dhe mbron të drejtat e njeriut dhe të drejtat civile, që funksionon bazuar në sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe lirinë e fjalës. Ata duan një sistem të pavarur dhe profesional të drejtësisë që jep vërtetë drejtësi dhe një qeveri që punon për të gjithë, pavarësisht prejardhjes dhe të ardhurave,” tha ai.

“Ideja që qytetarët përmes mjeteve të demokracisë mund të zgjedhin dhe të zgjidhen në postin më të lartë është forca më e madhe e demokracisë, por është edhe pjesa më e cenueshme e saj. Historia na ka treguar se ne nuk mund të relaksohemi dhe ta marrim demokracinë si të mirëqenë, duke besuar se ajo funksionon më vete. Nuk do të funksionojë”, ka shtuar ai.

Aleanca Progresive është një aleancë ndërkombëtare politike e partive dhe organizatave politike socialdemokrate dhe progresive./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera