Lajme

Kurti i shkruan letër kryeministres së re britanike, e fton për vizitë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 11:30 | 07 September 2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urim kryeministres së re të Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss.

Kurti në letër i thotë Truss se “Mbretëria e Bashkuar zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit të Kosovës”.

“…Sepse ju na mbështetët në luftën tonë çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal. Nuk do të harrojmë kurrë; dhe u jemi përgjithmonë mirënjohës”, shkruan Kurti.

-Advertisement-

Ndërsa e ka uruar Truss për pozitën e re, Kurti e ftoi kryeministren e re britanike që ta vizitojë Kosovën.

“Kryeministre, kam nderin të ju mirëpres në Kosovë në mundësinë e parë që është e përshtatshme për ju. Ju lutem, pranoni urimet e mia më të përzemërta dhe konsideratën time më të lartë ndërsa merrni këtë rol vendimtar në këto kohë sfiduese”, ka shkruar Kurti.

Letra e plotë

E nderuara Kryeministre,

Në emër të Republikës së Kosovës, ju uroj për zgjedhjen tuaj në krye të Partisë Konservatore dhe Unioniste dhe për emërimin tuaj nga Madhëria e Saj, Mbretëresha, si Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar.

Kontinenti ynë përballet me sfida të shumta që kërkojnë një përgjigje të koordinuar dhe unë ndihem i lehtësuar nga vizioni i qartë që e theksuat në dy takimet tona në fillim të këtij viti.

Ndërsa përballemi me pasojat e pandemisë Covid-19, krizën e energjisë dhe koston e rritur të jetesës, së bashku me autoritarizmin në rritje dhe agresionin e paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, ne presim me padurim udhëheqjen tuaj për ta ndihmuar Evropën dhe pjesën tjetër të botës të navigojnë nëpër këto kohë të vështira. Ju lutem, të jeni e sigurt se, teksa e bëni këtë, mund të mbështeteni në partneritetin, bashkëpunimin dhe solidaritetin e Kosovës.

Mbretëria e Bashkuar zë një vend të veçantë në zemrat dhe mendjet e popullit të Kosovës, sepse ju na mbështetët në luftën tonë çlirimtare kundër një regjimi gjenocidal. Nuk do të harrojmë kurrë; dhe u jemi përgjithmonë mirënjohës.

Qeveria jonë po punon shumë për t’i realizuar premtimet e saj për vende pune dhe drejtësi për qytetarët tanë duke investuar në kapitalin njerëzor, duke mbyllur hendekun e aftësive përmes ringjalljes së cilësisë së arsimit tonë, dhe duke reformuar sistemin e drejtësisë.

Kryeministre, kam nderin të ju mirëpres në Kosovë në mundësinë e parë që është e përshtatshme për ju. Ju lutem, pranoni urimet e mia më të përzemërta dhe konsideratën time më të lartë ndërsa merrni këtë rol vendimtar në këto kohë sfiduese.

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vazhdon përkushtimin ndaj gjithëpërfshirjes duke dhuruar një furgon për të mbështetur fëmijët me nevoja të veçanta
-Advertisement-

Të tjera