Lajme

Kurti: Hapëm 10 mijë vende të reja pune, ekonomia do të dyfishohet

Autori: Gazeta inFokus 12:50 | 25 December 2021

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për rritjen ekonomike që ka shënuar vendi gjatë këtij viti.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se Kosova tashmë ka më shumë të hyra nga ATK-ja dhe Doganat.

“Të hyrat tatimore janë rritur në Kosovë, i kishim mbi 588 milionë të hyra tatimore nga Administrata Tatimore sivjet ndërkaq nga Doganat e Kosovës, i kemi të hyrat 1 miliard e 320 milionë euro sivjet. Të hyrat tatimore janë për 26 përqind më të larta se viti paraprak, 12 përqind më të larta se sa viti 2019 dhe 28 përqind më të larta se viti 2018. Doganat janë mbi një të tretat më të larta se viti i kaluar, për 17.5 përqind më të larta se viti 2019 dhe për 21 përqind më të larta se viti 2018”.

“Rritja ekonomike do të jetë dyshifrore, është interesant që tremujori i dytë i këtij viti kishte rritjen ekonomike 16.3 përqind ndërkaq tremujori i tretë i kishte 14.5 përqind. Eksportet janë rritur 60 përqind krahasuar me vitin e kaluar dhe madje 90 përqind krahasuar me vitin 2019 ndërkaq të hyrat buxhetore janë 30 përqind më të larta, që tregon se qytetarët kur e shohin një qeveri të pakorruptuar janë më shumë të gatshëm të paguajnë taksa dhe kontribute, ndërkaq kur kanë shpresë për të ardhmen po ashtu më shumë preferojnë të shpenzojnë se sa të kursejnë”.

Kurti mes tjerash ka thënë se janë regjistruar edhe 10 mijë vende të reja pune.

“Pastaj kemi regjistruar diku rreth 10 mijë vende të reja pune, i kemi mbajtur 50 mbledhje si qeveri, me 458 vendime dhe gjithsej me 112 projektligje”, tha Kurti.

Të tjera