Kurti: Grenelli si Gelbardi, duhet të zëvendësohet me një tjetër
Autori: Gazeta inFokus 12:32 | 21 August 2020
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se po refuzon takimin virtual të iniciuar nga veprimtarët shqiptarë në SHBA ku do të merrnin pjesë krerët e institucioneve shtetërore dhe të partive politike.
Në këta takim do të diskutohej perspektiva dhe strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, Kurti tha se duhej ta refuzonte pasi një takim i tillë do të legjitimonte një proces që sipas tij po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës.
Kurti deklaroi se problem mbetet presidenti Thaçi, kryeministri Hoti dhe se në Uashington po shkohet pa ndonjë platformë të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Duke folur për Grenellin, ai tha se duhet të zëvendësohet sikurse Gelbardi në vitin 1998, ambasador ky që thoshte se UÇK-ja ishte terroriste e që u zëvendësua nga Holbrooke pas kundërshtimit të palës kosovare.
Postimi i plotë:
Para tri ditëve prej ambasadës sonë në ShBA mora njoftimin për një kërkesë, nënshkruar prej 25 veprimtarëve shqiptarë në ShBA, për të marrë pjesë në një takim virtual të përbashkët me krerët e institucioneve shtetërore e të partive politike, për të diskutuar perspektivën e strategjitë e veçanta e të përbashkëta të subjekteve kosovare në lidhje me procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke vlerësuar lart komunitetin shqiptaro-amerikan për kontributin e tij patriotik historik e aktual, e njëkohësisht duke e kuptuar brengën dhe dëshirën e mirë që shfaqin 25 nënshkruesit e kërkesës, e kam konsideruar me seriozitet atë, duke u konsultuar gjerësisht me bashkëpunëtorë brenda e jashtë subjektit që përfaqësoj, Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Por, me gjithë vlerësimin për qëllimet e mira të nënshkruesve, më duhet ta refuzoj këtë ftesë për arsye se një takim i tillë do të legjitimonte një proces i cili po zhvillohet tërësisht në mungesë të respektit për qytetarët, institucionet dhe demokracinë e Kosovës.
Takimi mes udhëheqësve të institucioneve dhe kryetarëve të partive parlamentare do të kishte kuptim nëse qeveria do të kishte përgatitur një platformë me kërkesa ndaj Serbisë, të cilën do të duhet ta paraqiste në Kuvend për të kërkuar miratimin e 2/3 të deputetëve. Veprimi i qeverisë pa platformë, apo me platformë që i mbahet fshehur Kuvendit, jo vetëm që e fyen demokracinë dhe ne si subjekt më i madh parlamentar, por e dëmton interesin kombëtar. Përveç kësaj, si mund të marrim pjesë në një takim të përbashkët me një figurë si presidenti i Kosovës, i cili vetë mbështet një plan krejt tjetër, për ta paguar Serbinë me copëtim të Kosovës nën petkun e shkëmbimit territorial? Ne nuk mendojmë se Kosova i ka borxh Serbisë diçka, dhe nuk dëshirojmë që përmes pjesëmarrjes në takime të zbusim sado pak mungesën e legjitimitetit të atyre që kanë delegjitimuar vetveten. Njohja e Kosovës nuk është diçka që ne mund ta blejmë, atë mund ta fitojmë duke ndërtuar e forcuar shtetin, ekonominë dhe demokracinë.
Përveç presidentit, problem për ne është edhe pjesëmarrja në një takim me një kryeministër i cili nuk gëzon as legjitimitet demokratik e as autoritet popullor, e i cili pretendon që kështu i dobët të shkojë të negociojë për Kosovën. Dobësia e tij do të shndërrohet në dobësi të Kosovës nëse nuk veprojmë ashtu siç duhet e nëse procesin nuk e udhëheq subjekti e personi që fiton zgjedhjet e lira dhe demokratike që duhet të mbahen sa më shpejt. E si vërejtje shtesë, duke qenë se në ShBA ka filluar tashmë para-fushata elektorale, një takim i tillë i gjithë subjekteve politike të Kosovës do të mund të intepretohej si mbështetje gjithëpartiake në Kosovë, për një proces që ka mbështetje vetëm njëpartiake në ShBA. Presidenti i Kosovës, Thaçi, u përzie në zgjedhjet amerikane të 2016, kundër Donald Trump-it, e tash po përzihet në zgjedhjet e 2020 kundër Joe Biden-it. Të dyja herët, ka vepruar gabim, dhe e ka dëmtuar Kosovën. Mund të përfshihen në fushata krerët e partive, që mbështesin partitë me ideologji të ngjashme, por në asnjë mënyrë nuk bën të përfshihen krerët institucionalë shtetërorë, sepse është kundër parimeve elementare të diplomacisë e demokracisë. Tradita e historia e marrëdhënieve të Kosovës me ShBA na kanë mësuar që mbi të gjitha ta respektojmë politikën amerikane për ne si dakordësi bipartizane.
Sa i përket të dërguarit të posaçëm Grenell, meqenëse ai ka thënë se Kosova duhet ta heqë reciprocitetin me Serbinë, mendoj se duhet të veprojmë me të njësoj siç vepruam me ambasadorin Gelbard kur në 1998 tha se UÇK-ja është terroriste, pra ta kundërshtojmë njëzëri, në mënyrë që ta kuptojë se kjo qasje është e papranueshme për ne. Asokohe kundërshtimi ynë bëri që Gelbard të zëvendësohet nga Holbrooke, pra, ia pamë hajrin kundërshtimit. Edhe sot na duhet që Richard Grenell të zëvendësohet me një Richard Holbrooke të ri.
Mes tre udhëheqësve të institucioneve në Kosovë veç njëra është zgjedhur legjitimisht, e mes pesë kryetarëve të partive, veç njëri i ka fituar zgjedhjet. Një panel i tillë, me këtë pjesëmarrje, ka efektin paradoksal që personat legjitimë i nxjerr në pakicë. Të dy bashkë, unë dhe kryeparlamentarja, kemi mbështetje qytetare sa dyfishi i gjithë të tjerëve marrë së bashku.
Dua të theksoj edhe një herë se jam i gatshëm për çdo bashkëbisedim e bashkëpunim me ju, për të mirën e Kosovës, në çdo platformë virtuale ose jo, kudo e kurdo, por pa këta që ia nxinë jetën popullit dhe faqen Kosovës, tash e 20 vjet.
Së fundi, le të mos harrojmë atë që është e para: përveç ballafaqimit me pandeminë COVID-19, preokupimet kryesore të qytetarëve të Kosovës janë drejtësia e punësimi, pra luftimi i korrupsionit e zhvillimi ekonomik, jo dialogu me Serbinë. Kjo u dëshmua në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dhe ua konfirmojnë edhe më shumë sot qytetarët anembanë Kosovës.
Ju përshëndes përzemërsisht.
Të tjera
-
Ngjarjet e datës 18 prill
Mbahet ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Republikë...
-
Vetëm gjatë shkurtit 151 çifte i dhanë fund martesës së tyre
Vetëm gjatë muajit shkurt të këtij viti, 151 çifte i kanë dhënë fund martesës...
-
Kaplohet nga zjąrri kuzhina e një lokali në Gjakovë
Një lokal në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë është përfshirë sonte nga ...
-
1 mijë e 929 fëmijë linden në shkurt, ja sa femra e sa meshkuj
Gjatë muajit shkurt të këtij viti, kanë lindur 1 mijë e 929 fëmijë brenda dh...
-
Deliu kritikon Haxhiun: Kosova në ditë zie për gratë e vrąra, ministrja në fushatë zgjedhore të Maqedonisë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kritikuar minist...
-
Kamberi thotë se rreth 14 të rinj nga Bunajovci janë ndaluar sot nga autoritetet serbe
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se 14...
-
“Putini po e pret Trumpin”: Bolton shpreh frikë për të ardhmen e Ukrainës dhe NATO-s
Ukraina përballet “me rrezik” nëse Shtetet e Bashkuara nuk miratojnë me shpej...
-
Vdękja e dyshimtë e ukrainases: Ky është personi i arrestuar, zbulohet dyshimi që rëndon mbi të
Një person është arrestuar lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 23-vjeçares...
-
Musliu-Shoshi: Mashtrues e hipokrit shpallin “Ditë Zie”, e shkojnë në fushatë në Maqedoninë e Veriut !
Deputetja nga radhët e PDK-së Ariana Musliu- Shoshi i ka quajtur hipokrit e m...
-
“Strella u bë më agresiv ndaj meje dhe Butës pasi nisi të rrinte me Feron”, dëshmia e plotë e vëllaut të Butës, Qëndrim Januzit, për vrąsjen me gjashtë pĺumba të 30 vjeçarit në Ferizaj
Gjykimi për vrasjen e Gazmend Hysenit është në fazën përfundimtare. Në seancë...
-
Arrestohet një person për rastin trągjik të vdękjes së 23-vjeçares në autostradën në Ferizaj
Një person është arrestuar lidhur me rastin tragjik të vdekjes së 23-vjeçares...
-
MPB njofton se 5 zyrtarë policorë përfshirë Jankoviqin vazhdojnë të mbahen nga Serbia, bën thirrje te ndërkombëtarët të dënojë këtë veprim
Ministria e Punëve të Brendshme ka dënuar ashpër aktin e paprecedentë të Serb...