Lajme

Kurti emëroi Sinanin këshilltare politike, reagon Vlora Çitaku

Autori: Gazeta inFokus 08:15 | 20 September 2022

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka quajtur të dëmshëm emërimin e Ardita Sinanit si këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga kryeministri Kurti.

Çitaku tha se nëse Qeveria e Kosovës do të donte të ndihmonte shqiptarët e Luginës atëherë do të emëronte dikë apartiak.

“Asgjë personale me zonjën Ardita Sinani (e kam mbështetur edhe publikisht pasi u shkarkua nga detyra muaj më parë) mirëpo emërimi i saj si këshilltare për Preshevë, Medvegje dhe Bujanoc pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës është jo vetëm hap i gabuar, por edhe i dëmshëm. Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e Luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë apartiak”.

Për pranimin e Sinanit të kësaj pozite pa dhënë dorëheqje nga partia, Çitaku tha se ndien keqardhje.

“Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë. Më vije keq që zonja Sinani ka pranuar të bëhet pjesë e një projekti të tillë”.

Çitaku tha se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk duhet të përçajë shqiptarët në Luginë, por duhet të synojë t’i bashkojë ata.

“Fatkeqësisht, qasje të njëjtë destruktive e tendenca përçarëse Kryeministri Kurti ka shfaqur edhe me përpjekjet e tij për të ndërhyrë në skenën politike në Shqipëri, Maqedoni, etj”.

Për emërimin e ish-kryetares së Preshevës në këtë post dje ka njoftuar vetë kryeministri Kurti, i cili tha se këtë po e bën me synim të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve të Luginës në Serbi.

“Kam emëruar sot znj. Ardita Sinani, Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna dhe për mbrojtjen e avancimin e të drejtave të tyre, do të themelojmë Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të koordinohet nga znj. Sinani”.

Të tjera