Lajme

Kurti: E vërteta e krimeve të Serbisë nuk mund të mbulohet nga dheu

Autori: Gazeta inFokus 12:56 | 05 April 2024

E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Kështu ka theksuar kryeministri Albin Kurti, teksa ka kujtuar masakrën në Rrezallë të Skenderajt, ku 98 burra dhe djem u pushkatuan nga forcat e armatosura të Serbisë vetëm për shkak se ishin shqiptarë.

“Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë. Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ai duke kujtuar masakrën e Rrezallës ka thënë se pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999 të 98 burrave e djemve, forcat e armatosura të Serbisë ua kishin rrëmbyer kufomat.

-Advertisement-

“29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë. Andaj, sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet”, ka nënvizuar Kurti.

Tutje shefi i Qeverisë ka thënë se “drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen”.

“Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla!”, ka përfunduar Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera