Lajme

Kurti e uron Trumpin e SHBA-në në ‘facebook’ për Ditën e Pavarësisë: Qoftë e përhershme aleanca

Autori: Gazeta inFokus 13:25 | 04 July 2025

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidentin amerikan, Donald Trump, me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke theksuar mirënjohjen e Kosovës për marrëdhënien e fortë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve.

Përmes një postimi, Kurti ka vënë në pah fushat ku ky bashkëpunim ka dhënë rezultate konkrete, përfshirë zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), mbështetjen për Ukrainën si dhe strehimin e refugjatëve afganë, shkruan Gazeta Infokus.

“Jemi mirënjohës për miqësinë dhe krenarë për bashkëpunimin e partneritetin ndërmjet Republikës sonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbrojtjen e po atyre idealeve,” ka shkruar Kurti.

-Advertisement-

Ai theksoi se partneriteti me SHBA-në ka sjellë përparim të jashtëzakonshëm në disa fusha kyçe.

“Zhvillimi i kapaciteteve të FSK-së, mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus dhe strehimi i refugjatëve afganë dhe qytetarëve të tjerë në territorin e Kosovës janë vetëm disa nga fushat ku bashkërendimi i prioriteteve tona ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë,” theksoi ai.

Urimi i Kurtit vjen në një kohë kur Kosova dhe SHBA-ja vazhdojnë të forcojnë partneritetin strategjik në çështje të sigurisë, demokracisë dhe mbështetjes për paqen globale.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Bileta të lira nga Prishtina drejt Stockholm me PrishtinaTicket!
-Advertisement-

Të tjera