Lajme

Kurti e Murati s’tërhiqen për mjetet e pashpenzuara të komunave, opozita drejt Kushtetueses

Autori: Gazeta inFokus 17:13 | 08 December 2022

Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati janë të vendosur që t’ua marrin komunave mjetet vetanake që s’i kanë shpenzuar. Kuvendit do t’i shkojë sërish për votim Projekt-buxheti për vitin 2023, bashkë me pjesën që e parasheh kalimin e mjeteve të pashpenzuara të komunave në bilancin bankar të Fondit të Kosovës. Deputetët e opozitës kanë paralajmëruar dërgimin e këtij Ligji në Gjykatën Kushtetuese. Nga Asociacioni i Komunave thonë se nëse Projektligji kalon, Kuvendi e Qeveria do të shkelin dy ligje.

Paralajmërimet e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës dhe opozitës se do ta dërgojnë Projekt-buxhetin e vitit 2023 në Gjykatën Kushtetuese nëse nuk fshihet fjalia që parasheh që të hyrat vetanake të pashpenzuara të komunave, t’i kalojnë Fondit të Kosovës, nuk u kanë bërë përshtypje Kryeministrit Albin Kurti dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit.

Sipas paragrafit 6 të Nenit 9 të Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e vitit 2023, “të gjitha te hyrat vetanake te mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe te pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar.”

Pavarësisht kundërshtimeve, në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ku shumica e anëtarëve janë të Lëvizjes Vetëvendosje, është miratuar ky Projektligj, duke përfshirë edhe amendamentin në fjalë.

Kështu i ka thënë Gazetës Express deputeti Mërgim Lushtaku, që është anëtar i këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ne dje i kemi pasur në shqyrtim të gjitha amandamentet e organizatave buxhetore, duke përfshirë edhe komunat dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe e njëjta kërkesë ka qenë nga Zyra Ligjore e Kuvendit, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, nga PDK’ja, nga LDK’ja dhe AAK’ja. Ishte një reagim edhe nga disa deputetë që nuk e kishin të qartë por që në përfundim, vendosën siç ka vendosur Ministri i Financave, në këtë rast ekzekutivi dhe nuk ishin në krye të detyrës për të ruajtur kushtetueshmërinë e vendit. Po, sepse ka kaluar në votim. Siç e dini, shumicën e votave i ka Vetëvendosje dhe pavarësisht votave dhe debateve që i kemi, ata çka thotë Albin Kurti dhe Hekuran Murati e votojnë”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai e ka quajtur të palogjikshme, joparimore dhe antikushtetuese, tendencën e Qeverisë për t’ua marrë këto mjete komunave.

Lushtaku thotë se e ka paralajmëruar Ministrin Murati se përfundimi i këtij Neni do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese dhe se beson se vendimi do të jetë në favor të komunave.

“…fatkeqësisht Ministri Hekuran Murati nuk është tërhequr nga ky propozim dhe ka kaluar me votim në Komisionin për Buxhet dhe Transfere. E kam paralajmëruar dhe z.Hekuran Murati, që përfundimi i këtij Neni do të jetë në Gjykatë Kushtetuese dhe unë besoj që Gjykata Kushtetuese do të jetë në favor të ruajtjes së buxhetit vetanak të komunave”, ka thënë Lushtaku.

Deputeti i PDK’së thotë se një propozim i tillë vjen për herë të parë nga një Qeveri pas pavaraësisë, derisa shton se kështu Qeveria Kurti po mundohet t’i “ngulfatë” komunat.

“Për herë të parë ndodh që një Ministër i Qeverisë Kurti, të bëj një propozim të tillë, ku e rrezikon edhe funksionimin e mirëfilltë të komunave të Kosovës, ku edhe kështu janë të pambështetura nga Qeveria Kurti, po dëshirojnë dhe po mundohen t’i ngulfatin edhe më tej, duke bërë që me këtë ligj t’ia mundësojnë edhe mjetet që nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë, t’i vendosin në buxhet të Kosovës, tha Lushtaku.

Dërgimin e këtij Ligji në Kushtetuese e kanë paralajmëruar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, ka deklaruar se me këtë paragraf, është cenuar diçka që komunave u jepet me ligj dhe me Kushtetutë.

“Pra, ne si AAK, vlerësojmë që në këtë paragraf është cenuar diçka që komunave u jepet me ligj dhe me Kushtetutë. Prandaj ne do të jemi zëri i komunave në këtë pjesë, dhe për më shumë e kemi sqaruar që nëse kalon Ky Projektligj nga shumica, ne do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese, dhe padyshim që drejtësia do të anojë nga komunat e Kosovës”, ka thënë Lekaj për Express.

Me këtë paragraf, Lekaj thotë se Qeveria po cenon funksionimin e pushtetit lokal

“Është hera e parë që nga pas lufta që një Qeveri e Kosovës po cenon funksionimin e pushtetit lokal, e kjo është duke ndodhur tani gjatë hartimit të Ligjit për buxhetin e vitit 2023 ku kem ndërhyrje në pjesën tekstuale të ligjit dhe me këtë cenon pavarësinë financiare të Komunave”, ka shtuar deputeti i AAK’së.

Përfshirja e këtij paragrafi në Projekt-buxhetin e vitit 2023 është kundërshtuar edhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetari i AKK’së, Sazan Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se nëse ky Projektligj miratohet, Kuvendi dhe Qeveria do të shkelin dy Ligje.

Sipas Ibrahimit, s’ka ndodhur asnjëherë deri tash që Qeveria të tentojë t’i shtijë duart në kompetencat vetanake të autoriteteve lokale.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe kryetarët e komunave e kanë kundërshtuar një tendencë të tillë të nivelit qendror. Nëse ndodh një gjë e tillë dhe nëse ky projektligj miratohet nga Parlamenti i Kosovës, atëherë përveç shkeljes së Ligjit për Financat Publike, do të shkelet edhe Ligji për Financat Lokale dhe me të dyja këmbët, Parlamenti i Republikës së Kosovës si dhe Qeveria, sepse ajo e ka iniciuar, do të shkel mbi parimet bazë të Kartës Evropiane mbi qeverisjen lokale, sa i përket autonomisë lokale për menaxhimin e financave apo të hyrave vetanake”, ka deklaruar Ibrahimi.

Për mos shpenzimin e këtyre mjeteve nga ana e komunave, Ibrahimi ka fajësuar nivelin qendror.

Vonesat në funksionalizimin e “Gjykatës së Tenderëve” dhe moslejimi për rishikim të buxhetit, thotë se i kanë penguar komunat që t’i shpenzojnë këto mjete.

“Nuk ka asnjë logjikë që taksapaguesit e një komune të cilat komuna nuk kanë mund t’i shpenzojë për një vit, sepse kjo me fajin e nivelit qendror sepse Bordi i OSHP’së nuk ka qenë i funksionalizuar për një kohë, pastaj komunave nuk u është lejuar rishikimi i buxhetit që këto mjete të pashpenzuara për fajin e nivelit qendror të merren dhe komunave t’iu pamundësojnë realizimin e projekteve kapitale në të mirë të qytetarëve”, ka thënë Ibrahimi.

Ndryshe, para dy javësh, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se është thellë i shqetësuar për tendencën e Qeverisë së Kosovës, për të ridestinuar mjetet financiare në vlerë rreth 38 milionë euro nga buxheti i kryeqytetit, duke thënë se mjetet vetanake të Prishtinës i takojnë vetëm Prishtinës.

Sipas Ramës, miratimi i Projektligjit për Buxhetin e vitit 2023 në këtë formë do të paraqesë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Në këtë rast, janë rreth 38 milion Euro të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës, të cilat nuk mund të tjetërsohen për t’ia shpërndarë institucioneve dhe komunave tjera. Dua të rikujtoj edhe një element të rëndësishëm, Prishtina çdo ditë frekuentohet nga dhjetëra mijëra qytetarë të komunave të tjera të Kosovës duke ngarkuar infrastrukturën e saj në mënyrë të vazhdueshme. Nëse Projektligji për Buxhetin e vitit 2023 miratohet në formën aktuale do të dëmtojë rëndë zhvillimin e projekteve të Kryeqytetit të cilat i gëzojnë edhe qytetarët e komunave tjera”, kishte shkruar Rama.

Edhe ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kishte dalë kundër këtij paragrafi, duke thënë se është e palogjikshme që këto mjete të bëhen pjesë e bilancit bankar, në një kohë kur Qeveria s’po i shpenzon as mjetet e veta.

“Krejt kjo është e palogjikshme, jashtë komentit se a shkelet Kushtetuta apo jo sepse s’jam jurist me interpret një çështje të tillë. Nëse e shikojmë nga ana e logjikës së përgjithshme, është e palogjikshme që këto mjete të hiqen dhe të bëhen pjesë e bilancit bankar, në një kohë kur Qeveria realisht edhe mjetet e veta që i ka nuk po i shpenzon, pra s’po tregon ndonjë efikasitet që do të ishte një shembull i mirë në këtë rast për komunat për me qenë realisht me më shumë efekt në ekonomi”, ka deklaruar Rukiqi për Gazetën Express.

Më 18 nëntor, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projekbuxhetin për vitin 2023, që parashihet të ketë vlerë mbi 3.2 miliardë euro.

45 deputetë votuan për dhe një kundër. Deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli ishte ai që e kundërshtoi.

Në votim nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare, të cilat e kanë kundërshtuar në vazhdimësi.

Të tjera